Loading...

Velipoja, një thesar i “pazbuluar”

Velipoja, diadema e brigjeve të Adriatikut

Velipoja, një thesar i “pazbuluar”
Për të flitet fare pak. Por kjo nuk ia ka hequr privilegjin asaj të jetë një prej atraksioneve turistike me vlera të patëdyta. Nëse media e ka përjashtuar disi nga promovimi dhe politikat e turizmit e kanë hedhur në periferi të vëmendjes, është vetë natyra ajo që me të andshmën dëshirë dhe devocion e ka qëndisur Velipojën me gurët më të çmuar, duke e kthyer në diademën e brigjeve të Adriatikut.
Velipoja është e njohur për detin e pastër e rërën kurative, lagunën me specie të shumëllojshme, pyjet me bimësi të dendur, malin me pamje madhështore, lumin Buna dhe për mikpritjen karakteristike të banorëve vendas.
Plazhi i Velipojës është një nga plazhet më të mëdhenj në bregdetin e Shqipërisë. Ky plazh kufizohet në veri me grykëderdhjen e lumit Buna dhe në jug me plazhin e Shëngjinit. Me një vijë bregdetare prej 14.5 kilometra, ai ofrohet me hapësirat e pafundme të mbushura me rërë të zezë, pisha të buta bregdetare, ujë të pastër e të kthjellët, rezervate natyrore, laguna e ishuj që ndërrojnë formë si ëndjet më të hovshme të përfytyrimeve magjepsëse.

Me kah veriperëndimor
Për të sosur në Velipojë mund të niseni nga Shkodra që distancohet prej saj në 28 kilometër rrugë, ose të kthehesh veriperëndimor tek Harku i Bërdicës, ndërsa je afro 5 kilometër pa mbërritur në qytetin verior. Rruga që duhet të bësh për të, përshkon fshatrat e Nënshkodrës, të cilat dikur ishin hambari i bereqetit. Një rrugë jo dhe aq e mirëmbajtur të rrëfen një zonë jo dhe aq të pasur ku banorët jetojnë kryesisht me bujqësi dhe blegtori, pa harrua përkujdesin financiar që vjen nga bijtë emigrantë. Nëpër të njëjtin shteg vërshoj jeta e këtyre banorëve, bagëtitë dhe vargani i turistëve që mësyjnë bregdetin e Velipojës. Këtij dekori nuk i mungojnë sytë kureshtarë të banorëve që presin e përcjellin gjithnjë e më tepër bujtës të destinacionit turistik. Në të afruar të Velipojës rruga që ka pak që është rindërtuar është lajmësi i parë kilometrave të fundit për të mbërritur në zonën e plazhit. Falë sinjalistikës që ende nuk është bërë pre e barbarëve, dendësisë së banesave dhe vajtje-ardhjes së njerëzve sosim në pikëmbërritje.

Historia e Velipojës
Do të kishte diçka të mangët kjo perlë e bregdetit shqiptar nëse nuk do të kishte një histori, një zanafillë, një kumtim që do të shpërfaqte kreshtën shndritëse të krenarisë së saj bregdetare. Që tek etimologjia e këtij toponimi shtangemi. Velipojë, sipas kumtimeve të deritashme vjen nga sllavishtja e vjetër, “Veliko polje”, që do të thotë Fushë e Madhe. Nuk ka shtjellime të hollësishme rreth origjinës së këtij pagëzimi sllav, por fakti që në Shkodër ka edhe disa ndikesa të tjera sllave në toponime, na udhërrëfen te logjika e huazimeve prej fqinjëve. Faktet që njohim janë dëshmitarë të popullimit të hershëm të kësaj zone. Sipas burimeve, të cilat kohëpaskohe pasurohen, mësohet se Velipoja ka filluar të popullohet mbas viteve 60 e të shekullit të kaluar. Megjithatë të dhënat historike tregojnë se kjo zonë njihet si vendbanim që në shek. XV. Ekzistenca e mogilave (varreza në formë konike dhe të ndërtuara me gurë) të gjetura në Malin e Luarzit dhe në Majën e Zezë, rrënojat e kishës në breg të lumit Buna dhe gjetje të tjera arkeologjike, e vërtetojnë më së miri faktin se ajo është një dimension i kahershëm qytetërimi. Në periudhat e mëvonshme, të cilat qëmtohen edhe sot, kjo zonë është dominuar nga fisi i vjetër katolik i Kastratit, që njihej me emrin fisi i pesë bajraktarëve. Popullsia është tërësisht shqiptare, kryesisht katolikë.

“Râna e dermanit”
Për 3/4 e atyre që frekuentojnë plazhin, qëllimi kryesor është ai i përfitimit shëndetësor. Nga 12 plazhet që përshkojnë vijën bredetare, nga Joni në Adriatik, Velipoja qëndron në krye të listës si destinacion kurativ. Edhe pse ai është fare pak i promovuar në aspektin mediatik dhe turistik ai ka privilegjin të jetë një prej plazheve më të rekomanduara. Uji, rëra dhe jodi që e ka pasuruar këtë vijë bregdetare, rreken ta ndajnë çdo vit këtë mirësi me mijëra pushues që i besojnë asaj ditët e relaksit.
Në ujin e kripur të detit të Velipojës gjenden rreth 92 minerale, të cilat janë të domosdoshme dhe njëkohësisht luajnë një rol përcaktues në rivendosjen e shumë ekuilibreve shëndetësor. Jodi kryeson listën e këtyre agjentëve kurativ, për tu pasura nga magnezi, potasi, etj.
Përqendrimi i kripërave minerale, nënvizojnë specialistët, na lejojnë ti japim organizmit një mundësi për të larguar stresin dhe për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Për të qenë përfitues i kësaj bujarie të natyrës që vjen nga deti i Velipojës, rekomandohen ecjet me këmbët në ujë, në lartësinë deri në kavilje ose deri në bel. Përfituesi më i madh është lëkura. Pas një zhytjeje në ujin e kripur, lëkura duket tonike dhe shkëlqyer, më e lëmuar dhe e pastruar tashmë nga qelizat e vdekura. Jodi natyral pastron lëkurën me një aksion dezinfektues dhe antiseptik. Nga pikëpamja dermatologjike është e njohur se ato që vuajnë nga aknet, puçrrat dhe plagë apo shenja, fal ujit të detit mund të kenë rezultate të shkëlqyera. Për dermatitet atopike, e përhapur mes te rriturve dhe te vegjëlve, një zhytje në ujin e detit si dhe shëtitjet në breg, janë me të vërtetë shumë të shëndetshme. Kjo është pra kryearsyeja se pse një plazh si ai i Velipojës duhet promovuar si një trofe pushimesh.

Pozitat e saja
Fshati Velipoje është qendra e komunës dhe përfshin 10 fshatra: Velipojë, Reç, Pulaj, Luarzë, Baks, Rrjoll, Gomsiqe, Baks i Ri, Mal i Kolajve, Reç i Ri.
Relievi është tërësisht fushor, nga 1-3 metra mbi nivelin e detit deri në 550 metër që kulmon me Majën e Zezë në kodrën e Rencit. Kjo ka sjellë formimin e kënetave dhe moçaleve të shumta.
Velipoja ka një klimë me dimër të butë që varjon me temperaturat mesatare 6-7 gradë. Stina e verës është mjaft e nxehtë me temperatura në vlera 25 gradë deri 48 gradë celsius. Periudha e përshtatshme për banjo dielli fillon në muajin qershor dhe vazhdon deri në fund të shtatorit. Në këtë zonë bie rreth 1400 mm reshje në vit, kryesisht të përqendruara në gjysmën e dytë të vjeshtës, dhe dimrit.
Zona turistike e Velipojës shtrihet në një sipërfaqe prej 300 hektarësh dhe kufizohet në veri me rezervatin e menaxhuar të Velipojës, në jug me detin Adriatik, në lindje me rrethin e Lezhës, cek tek Rana e Hedhun, në perëndim me lumin Buna.
Velipoja u ofron pushuesve mundësinë për të kaluar pushime në një vijë bregdetare me ujë të pastër dhe rërë të imët. Ajo është e pasur me vlera unike natyrore, në të cilat dallohen për plazhin e madh me gjatësi 14 km dhe gjerësi 200 metra, e gjitha me rërë të imët. Një veçori tipike për këtë vijë bregdetare është se plazhi rigjenerohet çdo vit nga baticat dhe zbaticat, duke e bërë përqindjen e jodit në rërë shumë të lartë.
Plazhi rrethohet nga pylli me drurë të lartë, pishë e drurë të tjerë halorë dhe fletorë, me shkurre të blerta, ligatina me bimësi ujore, duna, etj.
Rezervati i menaxhuar i Velipojës.
Ky rezervat i përbërë nga një sipërfaqe prej 700 hektarësh, shtrihet në deltën e lumit Buna, rreth 8 km larg nga Velipoja. Ai përbëhet nga një pyll me pisha mesdhetare, vërri, frashër, plep, shelg shkurre etj. Ky rezervat është i pasur gjithashtu me ligatina, me bimësi pyjore e shkurre, livadhe me bimësi barishtore të dendur. Në këtë pyll jetojnë kafshë të shumta të egra: lepuri, çakalli, derri i egër, fazani etj. Të shumtë janë shpendët migratorë dhe të përhershëm. Rezervati është një nga pozicionet më të bukura për pritjen e shpendëve migratorë për periudhën e dimrit të tilla si shapka, shapka e ujit, rosa dhe pata.

Delta e Bunës
Delta e Bunës, është krijuar nga depozitimet e këtij lumi, ka formën e një trekëndëshi të madh me bazë nga deti. Në të ndodhen dy ishuj të mëdhenj ADA me një sipërfaqe prej 5 hektarësh dhe ishulli i Franc Jozefit. Ky ishull dallohet për bimët dhe kafshët e rralla si druri i rrënjës, që është një lloj dushku alluvial tepër i rrallë dhe në rrezik në zhdukje. Delta e Bunës është afër 10 km nga qendra e Velipojës. Një udhëtim nga Velipoja drejt deltës së Bunës është mjaft i këshillueshëm për amatorët e shëtitjeve në natyrë, por edhe për persona me probleme shëndetësore, të cilëve i është këshilluar ecja në ajër të pastër.

Boks-Rrjoll një piketë e rëndësishme
Fshati Boks-Rrjoll ndodhet ne juglindje të Velipojës. Ky fshat përbën vlera dhe bukuri të panjohura, të cilat vit pas viti po joshin pushues që e frekuentojnë atë.
Shtrihet pranë detit dhe mali të Rrencit, i cili ngrihet thikë mbi të. Vizita në këtë fshat mund të bëhet me varkë nëpër lagunë apo me këmbë. Ky fshat është mjaf i njohur për traditat etnografike. Plazhi i këtij fshati është i virgjër me rërë të pastër e ujë kristal.
Ndërsa ecën më tej, ndodhemi pranë zonës së ashtuquajtur Rana e Hedhun, krijuar nga një fenomen i pazakontë natyrorë që përbëhet prej një masiv të rërës që era e ka zatetur mbi shpatin e malit që ngulmon në këmbët e kodrës gëlqerore të Rencit. Nga Velipoja te Rana e Hedhun rruga është rreth 8 km, e vështirë por jo e pamundur për t’u hequr. Gjithsesi të apasionuarit këto dy skaje i bashkon udhëtimi me varkë.
Laguna e Vilunit
Laguna e Vilunit ndodhet 2 km në lindje të plazhit të Velipojës. Ajo shtrihet në një sipërfaqe rreth 300 hektarë dhe një thellësi përgjithësisht 1-3 m. Dikur kjo lagunë është quajtur Laguna e Lundrezës, sepse ka patur shumë lundra, një gjitar interesant që ushqehet me peshq. Kjo lagunë rrethohet nga ligatina, komunikon me detin përmes një kanali natyror, në të cilin për shkak të baticës dhe zbaticës, uji ndryshon drejtim çdo 6 orë. Ka ujë të kripur me temperaturë mesatare 20-22 gradë. Kjo lagunë është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe mjaft të shijshëm. Këtu hasen rreth 200 lloje shpendësh, migratorë dhe të përhershëm.

Ishulli i Franc Jozefit
Ky ishull i vogël, por shumë i bukur ndodhet në deltën e lumit Buna. Ai ka një histori interesante, pasi është krijuar nga depozitimet e aluvioneve të lumit, mbas mbytjes në vitin 1881 të anijes austriake me të njëjtin emër nga flota ruse, që kishte ardhur për të detyruar shqiptarët t’i dorëzonin Ulqinin, Malit të Zi, në zbatim të vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit, për copëtimin e trojeve shqiptare.

Atraksiont e Velipojës
Velipoja nuk vizitohet gjatë stinës së verës vetëm për plazhet e saj të bukura, por edhe për rezervatin e pasura natyror tepër të veçantë, që shtrihet në një sipërfaqe prej 638 hektarësh.
Nëse në një kontekst tjetër fjala kënetë krijon një ndjesi jo të mirë, te rezervati i Velipojës, 4 kënetat e saj përbëjnë vlerë, pasi veç të tjerave, janë strehë e përshtatshme për disa lloj specie shpendësh që kanë habitatin e tyre në këtë zonë.
Karakteristika më e spikatur e vegjetacionit të rezervatit është pylli. Shkurret dhe drurët, të cilët zënë një sipërfaqe të gjerë. Gjithashtu, këtu ka 182 hektarë pishë dhe plep kanadez, që të bëjnë shoqëri me hijen që lëshojnë. Prej hyrjes së rezervatit, që ndodhet në verilindje të tij, nisen 4 rrugë që shkojnë drejt perëndimit e që pastaj degëzohen e lidhen me njëra-tjetrën. Këto rrugë e të tjera korridore, i japin mundësi vizitorit të shohë një nga bukuritë e veçantitë e rezervatit, jetën e pyllit dhe të kënetave. Bota e pasur e kafshëve është ajo që i jep gjallërinë dhe bukurinë rezervatit.
Në Velipojë ka rreth 193 specie shpendësh, që ndeshen në shkurre, pyje, sipërfaqe ujore etj. Sidomos mëngjeseve e mbrëmjeve, kur lind e perëndon dielli, jeta gjallon vrullshëm.

Epilog
Kur të vendosni të bëni gati valixhet për ta lëshuar veten në prehrin e një dehjeje andradhash dhe përfytyrimesh magjepsëse të gufimit me valët, flirtit me nimfat dhe marrosjen me kupën e kuqe të perëndimit, mos i besoni lojës së dritave dhe gostive përplot ojna të marketingut turistik. Pas këtij përbindëshi qëndron një armatë e pafundme dallaveraxhinjsh dhe matrapazësh, sejmenësh dhe manipuluesish, të cilët po aq sa hipnotizojnë vetëdijen, aq thellë fusin dhe duart në xhepat e një mundësie të vetme që kanë shumë prej nesh për të pushuar aty ku duhet. Harta e vendpushimeve sa vjen dhe zgjerohet së bashku me nevojën për ta tregtuar sekush këtë mundësi si një medaljon triumfi. Nën thundrën e kësaj dehje, të paktë janë ata që e ruajnë kthjelltësinë, paqen dhe një marrëdhënie të harmonishme mes nevojës dhe të mundshmes. Të paktë janë ata të cilët guxojnë të përjashtojnë kapardisjen dhe rrokin nevojën për t’ia dhuruar vetes atë det që ndoshta nuk të jep shumë mundësi të futesh në betejën e krekosjes, por të dhuron një shans relaksi dhe përfitimi shëndetësor. Unë ua këshilloj Velipojën!/Albert Vataj

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com