Disa të rinj shqiptarë të apasionuar pas inxhinierisë, po përfaqësojnë Shqipërinë në “Lojërat Olimpike të Robotëve”, që kësaj radhe po mbahen në Meksikë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë është mundësuar nga FIRST, organizatë jofitimprurëse për inkurajimin e fëmijëve në fushën e STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë), dhe për këtë ofron katër programe të ndryshme.
FIRST Global Challenge është një nga programet në të cilët Shqipëria merr pjesë për herë të dytë. Skuadrat nga çdo vend i botës ftohen në “Lojërat Olimpike te Robotëve”, dhe çdo vit ka një temë të ndryshme që i adresohet një prej 14 sfidave të mëdha, që ka identifikuar Akademia Kombëtare e Inxhinierisë.
Pjesëmarrësit duhet të ndërtojnë një robot, që të kryejë një lojë në lidhje me një nga temat dhe të konkurojnë në aleanca në një fushë loje. Skuadra e Shqipërisë në “FIRST Global Challenge 2017”, u përfaqësua me temën e pastërtisë së ujit.
Kjo ishte hera e parë që flamuri shqiptar u ngrit në këtë event, në Washington D.C. Skuadra arriti të dalë në vendin e 118 nga 160 vende pjesëmarrëse. Këtë vit “lojërat robotike” po mbahen në Meksikë, dhe tema e zgjedhur është: Impakti i Energjisë.
Por, kësaj radhe, skuadra përfaqësuese përballet me disa sfida të reja, sepse, përveç krijimit të robotit, ekipit i duhet edhe ndihma financiare prej 12 mijë dollarësh, nga të cilat, 3 mijë janë për t’u regjistruar dhe për të marrë kompletin me pjesët e nevojshme për robotin, dhe 9 mijë për shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit. /atsh