Loading...

Ansambli historik i Mesaplikut

Nga Albert Habazaj

Ansambli monumental i historisë së MesaplikutAnsambli monumental i historisë së Mesaplikut s’është më një ëndërr, është një realitet sa krenar, aq i ligjshëm për banorët e kësaj treve autoktone dhe fisnike, për damarët e gjelbërimit, për lastarët e kuckës me rrënjë. Mendjegjeri Bardhosh Gaçe, kryetar i shoqatës “Ismail Qemali”, bujari fisnik Namik Jahaj, kryetar i Shoqatës “Mesapliku” dhe atdhetari i palodhur Ahmet Dema -kryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën qenë treshja atdhetare e dallueshme e kohës, që ndezën këtë zjarr të ri atdhetar ndër 15 firmëtarë, përfaqësues të shoqërive atdhetare – kulturore të Mesaplikut e të Kurveleshit të Poshtëm, për të realizuar kompleksin skulpturor të figurave të shquara të kësaj krahine, pranë Obeliskut të Ismail Qemalit, në Mesaplik. Zbatimin e kësaj ideje të lartë kombëtare dhe prodhimin artistik të veprës madhore për burrat që bënë histori, e bëri skulptori i talentuar Viktor Simoni. Më vijnë ndërmend vargjet aq të çiltra e adhuruese të poetit të lirisë – Shefqet Peçi: “Mesapliku në luginë, malet e larta karshi,/ Vend i bukur prej natyre, për tyja kam dashuri…”.
Ato vargje u bënë himn për krahinën tonë me emër në histori për bijtë e shpatës dhe të penës. Edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH, 2008), krahina jonë e dashur është përshkruar: “Mesapliku është krahinë etnografike në rrjedhën e mesme të Shushicës (Lumi i Vlorës) me një shtrat të ngushtë, të thellë, që poshtë Bratit fillon të rrjedhë në një shtrat të gjerë e me brigje të larta. Lumi i Vlorës bën pjesë në trevën e Labërisë. Krahina e Mesaplikut ndahet në dy pjesë: Rrëza (në anën e majtë të luginës, rrëzë vargut Çikë – Lungarë – me fshatrat Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm) dhe Shullëri (në anën e djathtë të luginës, rrëzë Gribës dhe Çipinit – me fshatrat Velçë, Ramicë, Bashaj, Matogjin dhe Shalës – Mesaplik). Bazilika e Mesaplikut (shek.VI e.r) është klasifikuar monument i periudhës paleokristiane. Malet e Vetëtimave, me Çikën kurorë, përmenden nga autorët antikë me emrin Akrokeraune – “Majat e rrufeve”. Akrokeraunet përmenden për herë të parë nga gjeografi dhe historiani i vjetër grek Skilaski (shek.VI-V p.e.r.) Gjykojmë se banorët e këtyre anëve janë autoktonë dhe pema gjenealogjike e tyre i ka rrënjët në moshën e maleve të saj. Në Lumin e Vlorës, sidomos në krahinën e Mesaplikut dhe të Kurveleshit të Poshtëm, “edhe gurët, edhe drurët meritojnë të dekorohen e t’u bëhen buste nderimi”-, siç e ka cilësuar një udhheqës antifashist.
Në fakt, ato janë dekorata lavdie të historisë së Labërisë, të Vlorës e të mbarë Shqipërisë. Me këto meditime, tek ecja me trokun e historisë në tërë qenien time, ende pa u futur në Qafën e Elimit, në Horë të Tërbaçit, duke kthyer rrugën majtas te Ura e Lumit në Ganaj, te një nga urat që lidh dy brigjet: Rrëzën me Shullërin, më shfaqet obelisku i Ismail Qemalit, fatit të Shqipërisë, plotësuar me kompleksin skulpturor të figurave të shquara të krahinës së Mesaplikut dhe të Kurveleshit të Poshtëm, që më ngjajnë si engjëj përreth tij.
Në këtë ansambël figurat historike janë vendosur, sikurse në natyrë – në krahë të djathtë personalitetet më përfaqësues të Shullërit (kur shikon drejt Kotës e ndjek rrjedhjen e Lumit të Bardhë) dhe në krahë të majtë personalitetet më përfaqësues të Rrëzës. Duke e vëzhguar mbushur mall atdhetar, ky ansambël i rrallë dhe unikal të jep imazhin e asaj shqiponjës krahë hapur për fluturim, që ka në qendër kokën – Ismail Qemalin, ku, krahu i djathtë (Shullëri) përbëhet me 6 pendë të arta historie (radhitur sipas kriterit kronologjik): Cane Miftari, Selam Hasani, Zaçe Xhelo, Zigur Lelo, Toto Hosi dhe Hamit Lumi. Edhe krahu i majtë i kësaj shqiponje (Rrëza) – ka 6 krahë të arta historie: Zenel Gjoleka, Lulo Abazi, Sali Vranishti, Memo Mete, Ahmet Lepenica dhe Halim Xhelo. Banorët i njohin trimat dhe kapedanët e tyre, të cilët rrezatojnë në shkallë kombëtare, por për komunitetin e gjerë, gjykojmë të vizatojmë telegrafisht portretet e këtyre bijve të shquar të krahinës, fokusuar në kohë që nga periudha e Tanzimatit deri në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe të Luftës së Vlorës, 1920:
Kapedani lab Zenel Gjoleka (1805-1852). Zenel Gjoleka ka qenë ndër udhëheqësit kryesorë të lëvizjes fshatare, të kryengritjeve të armatosura në Shqipërinë e Jugut në vitet ’30-’50-të të shek. XIX. U shkollua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në fillim të veprimtarisë së tij luftarake. Ai shërbeu si komandant rrogëtarësh shqiptarë në ushtrinë osmane. Duke kryer shërbimin ushtarak si trim i komandantit të divizionit në Manastir, i frymëzuar nga luftëtarët e lirisë si Tafil Buzi me shokë, më 1830, ai kreu atentatin e parë duke vrarë një funksionar turk të garnizonit të Janinës, në hakmarrje të Ismail bej Vlorës (gjyshit të Ismail Qemalit). U kthye në Vlorë, ku u prit si hero. Kur Porta e Lartë filloi të zbatojë në trojet shqiptare reformat centralizuese të Tanzimatit, ai u bashkua me qëndresën shqiptare kundër forcimit të shtypjes kombëtare dhe ekonomike.
Gjatë kryengritjes fshatare të vitit 1847, Kuvendi i Mesaplikut (qershor) e zgjodhi atë kryetar të Komitetit të Lidhjes Kombëtare. Ai udhëhoqi trimërisht kryengritjen në zonën midis Kurveleshit, Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës dhe Vlorës, drejtoi dhe fitoi në 23 beteja kundër forcave osmane. Me shtypjen e saj, u kap tradhëtisht dhe u internua në viset e Anadollit. Më vonë, qeveria osmane e fali, dhe ai hyri përsëri në shërbim ushtarak. Më 1852, në krye të mijëra lebërve të armatosur, shkoi në Veri të vendit për mbrojtjen e trojeve shqiptare që rrezikoheshin nga shovenët malazezë.
U vra në luftime gjatë një sulmi në shkallën e Kërstiqit, afër Podgoricës. Figura e Gjolekës ka gjetur pasqyrim në epikën historike të krahinës së Kurveleshit e të gjithë Shqipërisë së Jugut: “U trete Gjolek’, u trete!/ Po sos luftove për vete,/ po për gjithë vilajete./ Pse lufton a derëzi,/ As për mua, as për ti/ Po për gjithë Shqipëri”… Është nderuar me Urdhërin “Nderi i Kombit”.
Cane Miftari (1800-1840). Luftëtari smokthinjot nga Bashaj u bë një ndër kapedanët më të njohur të Shqipërisë së Jugut për kohën. Në vitet 1829-30, Cane Miftari me Tafil Buzin dhe Abdyl Kokën shkuan tek Mehmet Aliu në Egjipt, për të organizuar një front të përbashkët luftarak Bosnjë – Shqipëri – Kretë – Egjipt kundër Perandorisë Osmane.
Cania shkëlqeu qysh kur forcat egjiptiane, të kryesuara nga shqiptari Mehmet Ali pashë Misiri, mposhtën forcat osmane në Konjë të Anadollit. Ai lëshoi kushtrimin në Labëri dhe mblodhi forca të shumta për të sulmuar garnizonet osmane në qytet. Një këngë e hershme labe jehon edhe sot: “Ngrehu Cane bukuria,/ Se në Konjë u prish hordhia,/ E prishi Mehmet Alia…”. Ai mori pjesë në Kuvendin Ndërkrahinor që u mblodh në Berat më 7 Nëntor 1828, i cili krijoi organizatën “Lidhja Shqiptare” për të siguruar vetqeverisjen e vendit. Ai kryesoi mijëra forca luftëtarësh, të cilat sulmuan Beratin.
Kjo betejë ia rriti shumë famën trimit smokthinjot. Ai u bë bajrak (flamurtar) i një tabori rajonal, me luftëtarë popullorë kundër osmanëve. Në shtëpinë e tij u bënë shumë mbledhje të krerëve të Jugut për besëlidhjet kundër pushtuesve. Kapedani smokthinjot paraqiste rrezik për Portën e Lartë. Dinakëria osmane bëri punë. E kërkuan gjoja për bisedime. I ngritën kurth. E helmuan në qytetin e Vlorës. Kënga e përjetësoi: “O Cane Miftar Smokthina!/ T’u mbush varri trëndelina,/ Pse s’na more neve trima,/ T’ja bënim në Vlorë prima!”.
Selam Hasani (1800-1854). Pati veprimtari të dendur e të fuqishme në lëvizjen shqiptare të mesit të shek. XIX. Shkollohet në Vlorë me mbështetjen e Mahmud bej Vlorës (babai i Ismail Qemalit), i cili e dërgoi në një shkollë ushtarake në Stamboll, prej nga doli oficer. Deri në vitet 1830 shërbeu në garnizonin turk të Beratit, por u pezullua si antiosman. Vihet menjëherë në kontakt me lëvizjen kryengritëse të kohës. Kordhëtari i paepur nga Velça, Selam Bino Hasani mbahet mend sidomos për luftimet e ashpra kundër shovinistëve grekë që, pasi kapën Janinën e Çamërinë, vërshuan si barbarë drejt bregdetit të Himarës dhe në Ksamil në fillimvitin 1854 e prej këtyre plasdarmave u vërsulën në brendësi të Atdheut tonë. Selam Hasani është një ndër 89 krerët shqiptarë të “Besëlidhjes, që firmosën letrën e 15 gushtit 1847, ku i kërkonin ndihmë mbretit të Greqisë.
Forcat e Lumit të Vlorës, me në krye Selam Hasanin e Velçës e Shako Xhakën e Tërbaçit, të bashkuara me trimat e Mahmud bej Vlorës, me luftëtarët e Sokrat Lekës nga Qeparoi e të Mëhill Qirjaqit nga Çorraj, luftuan si luanë, e morën Himarën dhe i hodhën në det banditët grekë. Në luftën e Mecovës vendosi të likuidonte një çerdhe të armikut. U kacafyt grykë më grykë me andartët. Fortifikata ra në duart e trimave të tij. Me fitoren e betejës së Mecovës dështuan tentativat e para të qeverisë shovene greke për pushtimin e Shqipërisë së Jugut gjatë vitit 1854. Sipas traditës, armët e lara, palla e ndritur “mynxyrjare” e kapedan Selam Hasanit, pasi kaluan me nderim dorë më dorë tek luftëtarët shqiptarë, u dërguan në Velçë, në vendlindjen e trimit. Emri i tij fisnikëron epikën historike shqiptare: “Ç’po gjëmon Gryk’ e Sazanit,/ Një pamporr sa gjysm’ e malit,/ Vijnë armët e Selamit,/ Shyt’ argjend’e pall’ e Shamit!”.
Zaçe Xhelo (1874-1929). Qysh me fillimshekullin XX e deri sa mbylli sytë, ndër figurat e shquara të Smokthinës e të Labërisë dallon Zaçe Xhelo si burrë krahine e trim gjykimi. Ai njihet si veprimtar dhe mendimtar i gjykimit zakonor për zgjidhje me drejtësi të konflikteve, grindjeve për sinoret e tokave, kullotave etj. Në shtëpinë e tij kanë bujtur Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Mehmet Pashë Tetova, Osman Haxhiu, Ibrahim Abullahu, Kristo Karbunara, Beqir Velo, Tol Arapi etj. Më 12 mars 1900 bëhet anëtar i Klubit Atdhetar “Lumi i Vlorës”, në krahë të Hamit Lumit, Murat Tërbaçit, etj., për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 11 Tetor 1908 bëhet ndër anëtarët më aktivë të Klubit “Labëria” dhe ndikoi fuqishëm për formatimin e këtij klubi atdhetarësh në Lumin e Vlorës. Qe mbështetje dhe strehë e Ismail Qemalit (më tetor 1908 dhe më korrik 1913). Më 1909, ishte në mbështetje të Muharrem Rushiti dhe Spiro Ballkamenit për organizimin e forcave popullore në mbrojtjen e kufijve jugorë të vendit. Zaçe Xhelo qe në udhëheqje të shoqërisë “Dora e Zezë”. Mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, më korrik 1911, ku mbështeti memorandumin e Gërçes për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Mori pjesë në ngritjen e flamurit, në kuvendin e Kuçit më 26 dhjetor 1912, për mbrojten e kufijve jugorë. Në shtëpinë e tij themeloi shoqërinë “Opinga” për përparimin kombëtar…
Ai u bë mik i Avni Rustemit dhe antizogist i fuqishëm. Firmëtar i Kuvendit Zakonor i Labërisë, që u mbajt në Kuç të Kurveleshit, nga 28.11-04.12.1924 dhe që ndryshe u quajt dhe Kongresi i Labërisë. Zaçe Xhelo ka këngë, por, përveç shkrimeve të studiuesit Idajet Jahaj, ende jo një libër të botuar. Ai mund të quhet dhe Burri i Kuvendeve.
Zigur Lelo (1866-1920). Veprimtar i Luftës për mbrojtjen e pavarësisë e të tërësisë tokësore të vendit, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës të 1920. Hero i Popullit. Lindi në fshatin Bashaj (Smokthinë) të rrethit të Vlorës në një familje me tradita atdhetare. Më 1914 luftoi kundër bandave të shovinistëve grekë, ku u plagos. Mori pjesë në Mbledhjen e Mesaplikut më 20 Mars 1920. Në Luftën e Vlorës u caktua komandant i çetës së Bashajt, të cilën e udhëhoqi me guxim e trimëri dhe, në bashkëpunim me forca të tjera kryengritëse, sulmoi garnizonin italian në Kotë, ku dhe u vra. Emrin e tij e mori çeta partizane e fshatit gjatë LANÇ. Është përjetësuar në këngë nga populli i krahinës së Vlorës. Studiuesi dhe poeti Idajet Jahaj ka botuar monografinë kushtuar trimit “Zigur Lelo”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995. Mbetet profetike thënia e Zigur Lelos, kur pa shpatullën e berrit para betejës: “Kotën d’e fitojmë. Unë do vritem!”
Toto Hosi (1865-1920). Populli e pagëzoi për vlerat e tij trimërore – Toto Bolena. U bë përhapës i librave shqip në malet e Labërisë; studioi në Stamboll për ushtarak (oficer artilerie) me Etem Beun, djalin e Ismail Qemalit; u përkushtua në mbrojtje të kryetarit të Qeverisë së Vlorës nga forcat esadiste. Shoqëroi dhe mbrojti dy kryeministrat të parë shqiptarë: Ismail Qemalin dhe Sulejman Delvinën. Bëhet anëtar i Klubit “Labëria”, që me themelimin e saj, më 11 Tetor 1908, në Vlorë, i cili u bë baza e përkrahjes së Ismail Qemalit për ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë. U aktivizua në shoqëritë kulturore të kohës si “Opinga” e Mesaplikut etj. dhe në kuvendet për organizimin e Luftës së Vlorës – në Barçalla, në Mesaplik, në Dërrasën e Beunit e në Rrapin e Gurrave.
Bënte pjesë në shtabin drejtues të Luftës me Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullahun, Ismail Hakiun. U caktua komandant i çetës së Bolenës. Ullishtet e Vlorës i ruajnë imazhet e tij legjendare, duke luftuar si vigan. Edhe pse i plagosur rëndë e me zorrët jashtë nga breshëritë e një gryke zjarri të një bunkeri armik, ai gjeti forca, i mblodhi zorrët e barkut me dorë, u ngrit si Antè e ra me amanetin në gojë: “A do vemi sonte në Vlorë?”.
Heroizmin e Toto Hosit e ka gdhendur poeti Kudret Kokoshi në baladën e famshme, “Trim, o Toto Bolena”, që botoi në revistën “Minerva”, 1934, përfshirë në librin me poezi “Drithmë gjaku”, Tiranë.
Hamit Lumi (Çela) (1868-1929). Veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist dhe vjershëtor. Lindi në fshatin Vërmik të Kurveleshit të Poshtëm. Kreu shkollën qytetëse në Janinë. U kthye në Kurvelesh dhe më pas u vendos në qytetin e Vlorës, ku u mor me përhapjen e gjuhës dhe të librave shqip në Lumin e Vlorës dhe në Kurveleshin e Poshtëm. Më 1900 organizoi klubin atdhetar “Lumi i Vlorës”. Në vitin 1904 u arrestua nga autoritetet e pushtimit osman dhe u dënua me 20 vjet burg. Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Beratit u ridënua me 101 vjet. Doli nga burgu me rastin e amnistisë së vitit 1908 dhe vazhdoi veprimtarinë atdhetare në klubin “Labëria” të Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Cepos, më 21 korrik 1911, si pjesëtar i çetës së Kurveleshit. Për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane u detyrua të emigrojë në Boston të SHBA (1911), ku bashkëpunoi me gazetën “Dielli” – politike, shoqërore, letrare, kulturore, ekonomike, pedagogjike ku shkroi artikuj të shumtë për çështjen kombëtare. Zërin enciklopedik të tij për botimin e ri akademik e kanë përgatitur Zeko Braho e Xhemil Çeli (shih: FESH, 2, 2008, f. 1574). Poeti i shquar Agim Shehu ka shkruar e ka botuar për të monografinë “Gjaku i borës: atdhetari publicist Hamit Lumi (Çela)”, ku përfshihen dhe shkrime publicistike të patriotit vërmikas.
Lulo Abazi (1805-1852): Për kryengritjen e madhe fshatare të vitit 1847 dhe organizatoren e saj “Besëlidhja shqiptare”, Lulo Abazi është një emër i veçantë që ka histori të shkruar dhe këngë të kënduara. Është ndër krerët e “Besëlidhja shqiptare” të Mesaplikut.
Në botimin më të ri të nivelit akademik, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, kur trajtohen kryengritjet kundërosmane gjatë periudhës së reformave centralizuese (Tanzimatit) (vitet ’30 – ’70 të shek. XIX), që kishin për qëllim forcimin e perandorisë osmane, shkruhet: “Banorët e Tërbaçit kanë marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shquan luftëtarët Lulo Abazi dhe Miro Tërbaçi” (shih: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”. Në mars 1833 shpërtheu kryengritja në krahinat e Mallakastrës, Kurveleshit dhe të Mesaplikut, edhe tërbaçiotët, si pjesë e së tërës shqiptare heroike të organizuar në çetë me në ballë Lulo Abazin, vranë jeniçerët osmanë, vijuan luftimet pa u përkulur dhe u përgatitën për të sulmuan Janinën.
Aktiviteti luftarak i Lulo Abazit spikati në Konisbaltë të Beratit, në Horë, Gjomiha, Bogdan në vitin 1847. Kishte marrë pjesë në Kuvendin Ndërkrahinor të Picarit të vitit 1846, si dhe, një vit më vonë, në kuvendin e madh të Mesaplikut. Ai luajti rol të rëndësishëm në organizimin dhe në udhëheqjen e luftës kundër pushtuesit osman në mbarë krahinën e Vlorës. Emri i këtij prijësi të talentuar ushtarak dhe biri të denjë të Tërbaçit, del i dokumentuar në krahë të udhëheqësve të tjerë, si Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Çelo Picari etj. Qartë e saktë i pasqyron këto ngjarje edhe folkori: “Shqipëtarë anembanë,/ U mblodhën e fjalën dhanë,/ Mbretit s’i japim nizamë,/ Do t’i zë t’i them me radhë:…Lulo Abaz tërbaçioti,/ Kamber Delo tragjasioti,/ Dule Zoto smokthinjoti,/ Mete Çobo vranishioti…”.
Forcat kryengritëse, të drejtuara nga Lulo Abazi, si në krahun e Mallakastrës ashtu dhe në atë të Vlorës, të bashkuara me ato të Dukatit, drejtuar nga Dervish Aliu, korrën fitore. Deri në buzë të varrit, Lulo Abazi me trima i qëndroi me këllëç në hundë pushtuesit osmanlli. Populli e ka gdhendur bukur në këngë portretin e këtij kapedani: “O Lulo Abaz Mehmeti/ O mali në mes të detit,/ I ktheve gjoksin dovletit,/ Që në Tanzimat e tutje,/ Të mbeti palla mbi supe”.
Sali Murati (Vranishti) (1880-1926). Atdhetar demokrat e luftëtar kundër pushtuesve osmanë e italianë, komandant çetash, Hero i Popullit. Lindi në Vranisht të Vlorës. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përndoq, u arrestua dhe u dënua me burgim. Mundi të arratisej nga kalaja e Janinës, ku vuante dënimin. Çeta e tij në vitet 1908-1909 kreu disa aksione kundër postave osmane në Shushicë, në Armen e gjetkë dhe në gusht të vitit 1912 ajo hapi burgun e Vlorës. Qeveria e Ismail Qemal Vlorës e caktoi komandant të Sigurimit Publik.
Si i tillë kreu detyra të rëndësishme për mbajtjen e qetësisë së vendit, luftoi kundër shovinistëve grekë që kishin depërtuar në krahinat jugore dhe sidomos në pellgun e Delvinës, kundër lëvizjes të kryesuar nga Spiro Milo. Saliu bashkë me Çerçiz Topullin, çliruan kalanë e Borshit. Mori pjesë në Luftën e Vlorës, në krye të çetave të Rrëzës, prej 250 vetash; u plagos në luftimet e zhvilluara në Kaninë. U radhit në anën e lëvizjes demokratike të viteve ’20, mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit -1924 dhe komandoi një batalion. Plagët e luftës i shkaktuan vdekjen më 26 Janar 1926. Studiuesi Agron Metaj ka shkruar dhe ka botuar monografinë “Kapedan Sali Vranishti”: Tiranë, “Toena”, 1999. Këngët labe për të edhe sot e kësaj dite këndohen me nderim vargjet epike: “Malet lart e ti mbi male,/ Kapedan more!”.
Memo Mete (1859-1927). Memo Mete Brati (Deraj) njihej si “trim i rrallë dhe me pushkë dhe me fjalë”. I shkolluar për ushtarak në Turqi, gjithë aktiviteti i tij si luftëtar, si organizator dhe si komandues njësitesh luftarake kaloi përgjithësisht jashtë fshatit të tij. Ai qe besnik i Ismail Qemalit, qysh nga shtatori i vitit 1908 dhe, qysh nga ky moment atje ku ishte Ismail Qemali, atje do të ishte dhe Memo Mete. Ishte doganieri i parë në Doganën e Skelës.
Ishte përfaqësues i qeverisë në komandën e luftëtarëve në Kuç kundër shovinistëve grekë dhe komandant i çetës së Bratit në Luftën e Vlorës, më 1920. Atij i këndohet kënga: “Në Brataj kush komandoi?/ Trim Memo Mete dragoi!”. Më të vjetrit na kanë transmetuar kujtesën e tyre sociale:”…Në varrimin e tij (Memos) çobanët i lanë kopetë vetëm, bujqit lëshuan pendët dhe morën pjesë në lamtumirën e fundit, që iu dha komandantit të çetës së Bratit”.
Ndërsa të vjetrit tregojnë, se patrioti i shquar vlonjat Osman Haxhiu, kur vdiq Memo Mete, sipas zakoneve të Labërisë, priti ngushëllime tre ditë në shtëpinë e tij në Vlorë dhe pas tre ditësh shkoi për ngushëllim në Brataj.
Gjatë LANÇ, emri i tij u përjetësua në çetën e fshatit. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe ka botuar monografinë “Memo Mete Brati”, Tiranë, Eurorilindja, 2003
Ahmet Lepenica (1872-1941). Njihej edhe si Ahmet Labi, sepse ashtu u pagëzua nga populli. Ishte bashkëkohës i Mustafa Qemal Ataturkut…Në të gjitha ngarjet e mëdha të kohës jetoi aktivisht: Më 1912 -’13 shfaqet patrioti i arsimuar, si mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare. Më 1920 shkëlqeu si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare dhe, me Luftën e Vlorës, hodhën në det pushtuesit italianë.
Më 1921 majori ishte komandant i krahut të Vjosës. Më 1922 – qarkkomandant i xhandarmërisë, Gjirokastër dhe më 1924-ën, 52-vjeçari, është i mbushur me idealet kombëtare, u evidentua në udhëheqje të Revolucionit të Qeshorit me Fan Nolin, Bajram Currin, Elez Isufin e burra të tjerë kombëtarë.
Ahmet Lepenica ngelet njëri prej njerëzve më të shquar të Labërisë që gjithë jetën ia kushtoi luftrave për të mos lejuar copëtimin e vendit, për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Studiuesi Enver Memishaj-Lepenica, ka botuar monografinë historiko- folkorike “Major Ahmet Lepenica, komandant i përgjithshëm i trupave kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”.
Halim Xhelo (1894-1937). Atdhetar i shquar i lëvizjes demokratike të kohës, Hero i Popullit. Lindi në Tërbaç të Vlorës. Kreu shkollën e mesme në Korfuz. Mori pjesë në çetën kryengritëse të Spiro Ballkamenit (1911). Pas Shpalljes së Pavarësisë punoi si arsimtar në fshatrat e Vlorës. Në Matogjin hapi shkollën e parë shqipe, më shtator 1913, ndër të parat dallëndyshe të arsimit shqip në rrethin e Vlorës. Dha ndihmesën e vet në krijimin e shoqërive atdhetare më 1918-1919. Ndihmoi në përgatitjen e Luftës së Vlorës.
Në vitet 1921-19124, u aktivizua në shtypin e kohës për përhapjen e ideve demokratike dhe kryerjen e reformave shoqërore në Shqipëri. Mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit bashkë me të rinjtë e shoqërisë “Bashkimi”, në të cilën bënte pjesë. Pas fitores së Revolucionit u rreshtua në krahun radikal të tij dhe luftoi për reforma të thella, duke kritikuar pavendosmërinë e qeverisë demokratike. Me rikthimin e Zogut në pushtet, Halimi u largua nga Shqipëria.
Në vitet 1924-1927 kreu studimet për shkencat politiko – shoqërore në Universitetin e Firences. Pjesëtar aktiv i Komiteti të Çlirimit Nacional në Francë. Në mërgim jetoi dhe punoi në disa vende: Itali, Francë, Zvicër, Belgjikë, Greqi, Austri, Gjermani. Ishte anëtar i Partisë Komuniste Zvicerane.
Vdiq në Moskë, në kulmin e veprimtarisë së tij atdhetare. Për të Petro Marko ka botuar romanin “Halimi” (1969) dhe e ka ndër personazhet kryesorë tek romani “Ultimatumi” (1972). Musa Muho ka shkruar biografinë e letrarizuar “Dritë në mjegull”, ndërsa Akademia e Shkencave, botoi monografinë “Halim Xhelo militant dhe ideolog i shquar revolucionar: studim, material e dokumente”, përgatitur nga Viron Koka dhe Sazan Xhelo.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com