Promovimi i traditës së prodhimit të rakisë së manit, ndërthurur me gatimet dhe muzikën tradicionale, janë jo vetëm një alternativë për banorët, por edhe perspektivë për zhvillimin e turizmit.
“Festa e Rakisë”, një festë e re në paketën e festave të Korçës, mblodhi ditën e mërkurë në fshatin Boboshticë turistë të shumtë, të cilët festuan dhe shijuan prodhimet vendase.
E përfshirë në programin “100 fshatrat”, Boboshtica dallohet për një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullorë frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë mjekësore.
Para viteve ’90, Boboshtica numëronte rreth 1400-1500 banorë, ndërsa sot, si pasojë e emigracionit të shumë prej familjeve, jetojnë rreth 300 banorë.
Terreni i pasur të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive si ecje sportive, vrap, çiklizëm etj.
Natyra e mrekullueshme, festimet dhe prodhimi tradicional i rakisë së manit mundësojnë një ofertë të pasur me interes agro-turistik.
Kuzhina tradicionale e ofruar në një rrjet restorantesh të konsoliduara prej vitesh, i jep nxitje turizmit familjar.
Për t’u vizituar në Boboshticë:
Monumente kulti:
– Kisha e “Shën Marisë”
– Kisha e “Shën Jovanit”
– Kisha e “Shën Dhimitrit”
– Kisha e “Shën Kollit”.
Festa dhe frekuentimi turistik:
– Festa e “Shën Marisë” (“Festa e Rakisë”) – 15 gusht
– Shën Pandelimoni, festë fetare, 27 korrik.
– Rosnicat, festë tradicionale e besimtarëve ortodoksë që lidhet me ardhjen e verës, çeljen e luleve dhe gatuhet vetëm brumë. (Festohet ditën e tretë pas fluturimit në qiell të Krishtit).
Potenciali konkurues në produkte:
– Rakia e manit (me vlera të shëndetshme, traditë e favorizuar edhe nga prania e drurëve të manit, unike në Shqipëri).
– Kuzhinë e larmishme (gatime tradicionale të mishit dhe të brumërave si lakrori me dy petë i pjekur në saç, liko të ndryshme, etj).
– Artizanati dhe punimet e dorës./atsh