Tragjedia në Genova ku u shemb ura dhe humbën jetën mbi 35 vetë aktivizon “mjeshtrin” e përfitimit zv.ministrin për të bërë “goditjen” e radhës. Kërkon reflektim dhe shpreh shqetësim për godinat e viteve ’80, nga kryeministria, ministritë, institucionet dhe ndërtesat e banimit! Do rrafshohen ndërtesat, kushedi ku do jetë godina e Kryeministrisë deri në fund të mandatit të PS.
Tragjedia e ndodhur të martën në Gjenova ku nga shembja e urës humbën jetën mbi 35 persona, mes të cilëve dhe dy shqiptarë, ka krijuar shqetësim dhe në Shqipëri.
Përtej dhimbjes për humbjen e madhe njerëzore nga ky aksident i rëndë, e përcjellë përmes mesazheve të ndjera të qytetarëve të thjeshtë, por dhe ato rutinë të politikanëve shqiptarë, “mjeshtrat” e përfitimit në qeverinë e Edi Ramës kanë përgatitur “goditjen” e radhës.
Dhe nuk ka si të mungojë në këtë “aksion” masiv përfitues njëri ndër dy Artanët që këshillojnë Ramën për këto punët e ndërtimtarisë, kullave dhe pronave me qira apo koncesioneve.
Bëhet fjalë për Artan Shkrelin, që është dhe numri dy i ministrisë së Damian Gjiknurit dhe që ka të bëjë me infrastrukturën dhe Energjinë. Por që realisht është zv.kryeministri ‘hije’ i Ramës.
Ende pa u bërë lista e plotë e viktimave që kanë humbur jetën në tragjedinë e Gjenovës, apo pa u gjetur të humburit dhe njëherësh pa u vënë para përgjegjësisë firma që kishte ndërtuar urën në vitet ‘60, Artan Shkreli, mëkëmbësi i Ramës për ndërtimin, i bëri shpejt e shpejt llogaritë.
Me një përllogaritje të thjeshtë dhe të shpejtë, Artani i ra “lapsit” dhe i rezultonte që ndërtimet e bëra 30 vite më parë nuk ishte të sigurta, nuk ishin rezistente dhe duhej të ndërhyhej direkt dhe me shpejtësi për t’i rregulluar, forcuar apo zëvendësuar.
Dhe këto ndërtesa janë ato të ndërtuara që nga koha e Italisë e deri tek ato të ndërtuara në kohën e komunizmit. Njeriu i Ramës për ndërtimet e përfitimet, Artan Shkreli e precizon qartë objektin e fitimit, teksa vë gishtin fillimisht tek ndërtesat shtetërore, kryeministria, ministritë dhe institucionet e tjera.
Më pas gishti i Artanit vihet dhe tek banesat e kohës së komunizmit. Llogaria është shumë e qartë, pastrohen këto të “vjetrat” dhe mbushet me ndërtesa 30 katëshe dhe kulla të mëdha tërë Tirana dhe qytetet kryesore të vendit.
Teksa Tirana tashmë është mbushur plot me kulla e siç thoshte dikur Ismet Bellova, radiokronisti që transpetonte ndeshjet e futbollit ne kohën e komunizmit për të treguar mbushjen e stadiumit me tifozë “aq sa nuk ke ku të hedhësh një kokërr mollë”, Rama kërkon të zgjidhje tjetër efikase.
Nën pretekstin e ndërtesave të pasigurta të atyre që janë realizuar në vitet ‘80-’90 dhe përqasjes me tragjedinë e Gjenovës, Rama kërkon t’i shembë dhe të ndërtojë në vend të tyre kulla, pallate shumëkatëshe, tashmë që trojet në Tiranë dhe në rrethe janë me pakicë.
Pavarësisht se në kohën e komunizmit pallatet ishin të shëmtuara, uniforme dhe pa shije, por ama muret ishin të trasha, themelet të forta dhe hekur e beton hidhej me shumicë, pasi të “rraste” në burg Enveri për këto gjëra.
Gjithsesi të rikthehemi tek kërkesa konkrete e njeriut të Ramës për ndërtimin dhe përfitimin nga ky biznes Artan Shkreli. “Rënia e urës në Genova është një thirrje e paneglizhueshme për reflektim” shkruan në një postim në Facebook, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.
“Tani që ajo ka rënë është kollaj të bëhet profeti e të nxirrën konkluzione “a posteriori”, por fakti se bie një kryevepër e inxhinierisë italiane, e cila kur u ndërtua ishte e para në Europë dhe e dyta në botë tregon se asnjë konstruksion beton-armë nuk është i imunizuar nga të papritura fatale”, vijon më tej zv/ministri Shkreli.
I cili në vazhdim të postimit të tij, ngre shqetësimin për një sërë godinash në vend, përfshi ministritë, kryeministrinë apo edhe universitetin, të ndërtuara para viteve ‘80-’90.
“Tashme dihet se betoni nuk është i përjetshëm, dhe nëse para 30 vjetesh mendohej se ai i ruante vetitë e tij të pakten 100 vjet, për shumë specialistë tashmë kjo kohë jo vetëm është vënë në dyshim, por po shkon drejt përgjysmimit.
Eksperienca ime personale me objekte të bëra 80-90 vjet më parë e konfirmon këtë (mjaftojnë karrotazhet dhe provat mbi kampionë që kemi bërë në godinat e ministrive, kryeministrisë apo universitetit dhe rezultatet janë frikësuese në pikëpamje të degradimit)”, thotë Shkreli.
Në përfundim zv/ministri Artan Shkreli thekson se një standard i ri kontrolli dhe verifikimi është i domosdoshëm, sidomos për strukturat tashmë të montuara, si dhe një manual i ri ndërhyrjeje radikale në to duhet përpiluar.
Thirrja është e qartë, duhet të ndërhyhet urgjent që të “mos ndodhin katastrofa si ajo e urës në Itali”. Me sa duket projekti i mbushjes së Tiranës me kulla, por dhe qyteteve të tjera të mëdha të Shqipërisë ka qënë gati. Duhet vetëm miratimii i një studimi që nxjerr jashtë përdorimit ndërtesat e viteve ’80 që të startojë.
Janë “mjeshtra” Artanët, e nxjerrin lekun nga dheu, dhe në momente dhimbjeje e kanë mendjen si të vjedhin dhe masakrojnë këtë vend. Radha u ka ardhur pallateve e godinave të institucioneve të vjetra. Kushedi ku do ta kemi godinën e Kryeministrisë deri në fund të këtij mandati./Pamfleti