Loading...

Shembja e urës, qeveria italiane kërkon ti hiqet licenca koncesionarit. Kompania fituese e tenderave edhe në Shqipëri

Qeveria italiane kërkoi heqjen e licencës për kompaninë që ka ndërtuar urën në Genova. Ky vendim vjen pas tragjedisë së djeshme në Genova dhe dy zëvendëskryeministrat italianë, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, kanë njoftuar se kanë ndëmend të revokojnë koncesionin e dhënë kompanisë “Autostrade per l’Italia”. Rënia e urës, pjesë e autostradës A10, nxori në pah rrezikun që paraqet në Itali infrastruktura e vjetër, që i ka kaluar 50 vjet nga koha e ndërtimit. Mediat italiane shkruanin dje se rreth 60% e rrugëve të vendit paraqesin rrezik.

Ministri i Transportit, Danilo Toninelli, kërkoi dorëheqjen e drejtuesve të koncesionarit. Drejtuesit e Autostrade per l’Italia duhet të japin dorëheqjen të parët. Ne kemi nisur procedurat për revokimin e koncesionit dhe gjobitjen deri në 150 milionë euro. Toninelli la të hapur mundësinë e rikthimit të rrjetit rrugor nën menaxhimin e shtetit. “Nëse privati nuk është në gjendje të menaxhojë autostradat tona, do ta bëjë shteti”, tha ai.

Edhe zëvendëskryeministri Di Maio e ka mbështetur idenë e anulimit të koncesionit. Përgjegjësi për këtë që ndodhi ka një emër: Autostrade per l’Italia. Pas vitesh të tëra që na është thënë se disa gjëra do të menaxhoheshin më mirë nga private, gjendemi para një prej kompanive më të mëdha koncesionare në Europë që na ka thënë se ajo urë ishte e sigurt. Të gjitha këto janë justifikime. Kompania duhej të bënte mirëmbajtjen e urës dhe nuk e ka bërë. Kompania grumbullon taksat më të larta në Europë dhe vetë paguan taksa shumë të ulëta në Luksemburg. Nëse nuk e bën dot punën që ka marrë përsipër, do ta bëjë vetë shteti.

Edhe ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra, thotë se revokimi i koncesionit është më e pakta në këtë rast. Si zëvendëskryeministër, do t’u kërkoj me shkrim të gjitha kompanive të tjera koncesionare informacion në lidhje me pjesën e buxhetit që kanë investuar në siguri. Më kanë sinjalizuar situata të ngjashme rreziku edhe në Kalabri.

Në Itali ka një numër të madh rrugësh që kanë segmente urash si ura Morandi, ku ndodhi tragjedia me 39 të vdekur. Mbi këto ura kalojnë çdo ditë mijëra makina dhe mjete të rënda. Një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës në Itali ka një moshë mbi 50-vjeçare. Për më tepër, për ndërtimin e tyre është përdorur çimento e përforcuar, e cila me kalimin e dekadave bëhet e rrezikshme. Ngjarja e së hënës në Genova është e treta e kësaj natyre që prej vitit 2017 në Itali. Dy raste të ngjashme janë regjistruar në autostradën A14 në Ancona dhe në afërsi të Cuneo-s e në Lecco.

Arkitektët thonë se një numër i madh urash të ngjashme e kanë kaluar afatin e jetëgjatësisë së projektuar. “Në rrezik është 60% e urave. Kjo është një shifër e frikshme”, ka thënë Antonio Occhiuzzi, anëtar i Këshillit Kombëtar të Arkitektëve./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com