Loading...

Ekspedita: Të fshehtat e anijeve antike të mbytura në ujërat shqiptare

Oliverta Lila

Anije të mbytura shekuj më parë, ngarkesa me verë e vaj ulliri, amfora të mëdha që “prehen” në fund të detit shqiptar. Janë pasuri arkeologjike të veshura me histori po aq interesante. Prej gjashtë vitesh, ekspedita shqiptaro-amerikane në bordin e anijes “Herkules” është vënë në kërkim të këtyre thesareve. Deri më tani janë 6 “relikte” që datojnë më shumë se 2000 vjet më parë që janë zbuluar, përfshirë edhe të tjera të një rëndësie të dytë. Inxhinierë e arkeologë, ndihmuar nga teknologjia më e lartë i janë kthyer sërish bregut shqiptar. Gjiri i Vlorës është destinacioni i këtij viti, ndërkohë që aktualisht ekspedita është vendosur në veri të ishullit të Sazanit. Zhytje, skanime, përpunim të dhënash. Arkeologu Adrian Anastasi, drejtori i palës shqiptare, tregon se edhe këtë vit janë etiketuar pika të cilat do të verifikohen. Mundësia e një zbulimi të ri në fazën e fundit të ekspeditës nuk përjashtohet. Gjetja e fundit, ishte zbulimi vitin e shkuar të një anije 2100-vjeçare, 30 metra të gjatë në perëndim të ishullit të Sazanit. Mbytja e kësaj anijeje gjatë periudhës së Republikës Romake kaq pranë brigjeve shqiptare, u hamendësua se mund të kishte lidhje edhe me betejat e luftës civile, zbarkimin e Jul Cezarit dhe ushtrisë se tij në gjurmët e Pompeut. Shumëkush mund të mendojë se arkeologët gjurmojnë zona të caktuara, ku nga burime historike apo gojëdhëna thuhet se është mbytur një anije. Në fakt, nuk ndodh kështu. “Kërkimet që bën ekspedita janë kërkime matematikore, pra duke kontrolluar çdo metër të hapësirës ujore me teknologji të lartë. Deri më sot ne nuk kemi kërkuar sipas sinjalizimeve apo burimeve antike. Kërkimet tona janë shumë të sakta, pasi skanohet i gjithë bregdeti dhe jo sipas zonave të caktuara. Kjo metodologji ka kosto më të lartë, por edhe rezultatet janë më të larta. Deri tani janë zbuluar 19 relikte historike nga shek I-IV para Krishtit e deri në disa anije të Luftës së Dytë Botërore”, thekson Auron Tare nga Qendra Shqiptare e Kërkimeve Detare.

Burimet antike

Sa anije mund të jenë mbytur në brigjet shqiptare? A ka të dhëna për vendndodhjen e tyre? A u kanë rezistuar shekujve? Kureshtja e gjithsecilit në këtë pikë mund të çojë në shumë pyetje të këtij lloji. Sipas Tares, burimet antike flasin gjithmonë për mbytje të anijeve në brigjet e Ilirisë apo Epirit antik. “Nga burimet e shkruara ne kemi një database shumë interesante, por duhet thënë se deri më tani nuk kemi mundur të provojmë asnjë nga këto burime për saktësinë e tyre. Jemi akoma në fillimet e kërkimeve, por deri më tani zbulimet janë bërë nga metodologjia e aplikuar dhe jo nga këto burime të shkruara. Është shkruar se në Luftën Civile midis Cezarit dhe Pompeut, i biri i Pompeut, Gnaius Pompeu mbyti një sërë anijesh në hyrje të Orikumit për të bllokuar flotën e Cezarit. Deri tani nuk kemi asnjë të dhënë për të verifikuar këtë burim historik. Po kështu dimë nga burime të shkruara se Flota Normane e udhëhequr nga prijësi i familjes normane, Zhiskardi, luftoi për disa ditë në Gjirin e Butrintit dhe bregun e Sarandës së sotme me Flotën Bizantine dhe Veneciane. Deri tani asnjë gjurmë nuk është gjendur nga kjo flotë, megjithëse burimet thonë se Perandori Komnenu shembi anijen flamurmbajtëse diku afër Butrintit. Po kështu dihet që vëllai i Mbretit të Francës Filipitte Pare, konti Hugh of Vermandois, i cili udhëtonte për në Kryqëzatë më 1096 e humbi flotën e tij shumë pranë brigjeve të Durrësit. Në fakt, ai dhe shpura e tij ia dolën të shpëtonin me not, kështu që anijet e mbytura duhet të jenë shumë pranë brigjeve. Megjithatë pritet që në sezonet e ardhshme të kemi mundësi të verifikojmë edhe këto burime antike nëse janë gjeografikisht të vërteta apo jo. Ndryshon puna me anijet e humbura në konfliktin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Nga informacioni i mbledhur nëpër arkiva del se në ujërat tanë duhet të jenë mbytur mbi 40 anije italiane, austro-hungareze, franceze, gjermane, një nëndetëse greke, një U-Boat austriak, disa avionë britanikë. Më e famshmja nga këto anije është sigurisht anija flamurmbajtëse e flotës italiane të Mesdheut “Regina Margerita”, e cila u mbyt nga një nëndetëse austriake me 720 vetë në bord, përfshirë edhe një admiral italian, në hyrje të Gjirit të Vlorës. Mbytja e “Regina Margerite” ka qenë një prej lajmeve më të bujshme botërore gjatë Luftës së Parë.Po kështu, gjatë hulumtimit të arkivave kam gjetur se në fakt një prej komandantëve më aktivë të nëndetëseve gjermane gjatë Luftës së Parë në ujërat shqiptare ka qenë një oficer i ri, i cili më vonë u bë një prej figurave më të rëndësishme të Gjermanisë Naziste. Ky ka qenë admirali Kanaris, shefi legjendar i Abwer( Zbulimit Ushtarak) gjerman. Kanaris, i cili operonte nga Baza e Kotorit, ka pasur shumë histori interesante në brigjet shqiptare. Zbulimi i këtyre anijeve të mbytura dhe historia e tyre, do të jetë pjesë e një botimi të veçantë mjaft luksoz, i cili do të sjellë një pjesë të panjohur të historisë shqiptare”, tregon Auron Tare. Sipas tij, i gjithë bregu shqiptar ka mjaft pasuri arkeologjike, sinjë breg i rrahur nga lundërtarë, eksploratorë, udhëheqës, priftërinj, tregtarë etj. Këtu fillonte rruga më e famshme antike Via Egnatia, e cila lidhte Romën me Kostandinopojën dhe më tutje me tregjet orientale të mallrave të luksit.

Dyshimi

Arkeologu Adrian Anastasi thekson se deri më tani e gjithë pjesa e bregdetit jonian deri në 220 metra thellësi është skanuar dhe dokumentuar nga “Herkules”. Për herë të parë, kjo ekspeditë ka realizuar hartat arkeologjike me të dhëna të sakta mbi pasurinë nënujore. Problemi i specialistëve mbetet se çfarë do të bëhet me këtë pasuri pas përfundimit të kësaj ekspedite. Auron Tare mendon se ka një neglizhencë të plotë institucionale, por edhe një paaftësie e shoqërisë për të kuptuar rëndësinë e madhe të trashëgimisë kulturore që kemi. “Për ta ilustruar këtë fakt do të doja të shtoja se për 6 vjet, pala amerikane dhe më saktë Fondacioni RPM Nautical, ka harxhuar shuma të konsiderueshme në identifikimin e pasurive nënujore shqiptare. Shteti ynë dhe institucionet përkatëse deri më sot ka dhënë 0(zero) fonde. Edhe kërkesa jonë për t’u furnizuar me naftë pa taksë nuk është aprovuar dhe anija “Herkules” detyrohet të furnizohet në vendet fqinje edhe pse kjo anije punon për dobi të historisë së Shqipërisë. Edhe dy pulla që ka printuar Posta Shqiptare me zbulimet tona, jo vetëm i ka plot me gabime, por i ka marrë imazhet pa leje duke thyer të drejtën ndërkombëtare të së drejtës së autorit.   Përjashtim bën Flota Detare, e cila këta 6 vjet ka qenë shumë e gatshme për të ndihmuar në sektorin e saj. Pala amerikane sot është, nesër ikën diku tjetër. Janë shumë vende në Mesdhe që e ëndërrojnë këtë punë që po bëhet në Shqipëri. Sa ekspedita të tilla operojnë aktualisht në botë? Vetëm 6. Pra Shqipëria ka një fat të madh në mundësinë e njohjes dhe identifikimit të pasurisë së saj kulturore nënujore. Problemi qëndron se deri më tani nuk shikohet asnjë dritë në fund të tunelit për të qenë optimist se diçka do të bëhet edhe në këtë fushë. Askush nuk e ka marrë seriozisht këtë projekt ambicioz dhe nuk ka jo vetëm investime, por edhe një mirënjohje nga Ministria e Kulturës apo institucionet e tjera. Pyetja është se çfarë do të ndodhë pasi projekti të mbarojë? Si do të ruhet kjo pasuri? Kush dhe si do studiohet? A do të ngrihet një muze i trashëgimisë nënujore? Këto dhe plot pyetje të tjera nuk kanë asnjë përgjigje”, thekson Tare. Ndërkohë, Adrian Anastasi shpjegon se ekspedita e përbashkët, shqiptaro-amerikane do të vijojë deri në realizimin e hartave të plota arkeologjike.

Rreziku

Arkeologu Adrian Anastasi, por edhe Auron Tare, kanë dhënë vazhdimisht alarmin për rrezikun që i kanoset pasurisë arkeologjike nënujore nga zhytjet e pakontrolluara. Sipas specialistëve, kjo vjen për faktin se shteti shqiptar nuk ka asnjë kontroll mbi hapësirën ujore. Për vite, vjedhja e pasurive nënujore vazhdon pa u ndëshkuar. “Nuk ka një ligj mbi trashëgiminë nënujore. Nuk ka asnjë departament në MTKRS që të merret edhe me këtë pjesë të trashëgimisë sonë. Nuk ka asgjë”, thekson Tare.

Kërkesa

A do të ngrihet një muze i trashëgimisë nënujore?

Arkeologu i arkeologjisë nënujore, Adrian Anastasi, e sheh të domosdoshme ngritjen e një muzeu për këtë pasuri. Por sipas tij, nuk duhet të jetë thjesht dhe vetëm një hapësirë ku ekspozohen disa relikte. “Koncepti modern i muzeut është një institucion që ekspozimin duhet ta ketë si qëllim të fundit. Më parë duhet të bëhet një punë e madhe kërkimore-shkencore, gjë që i mungon profilit të muzeve në Shqipëri. Një muze i tillë duhet të ketë laboratorin, stafin e specializuar që të bëjë në mënyrë autonome kërkimin shkencor. Ne kemi një trashëgimi të tillë që mund të flasim pa frikë për muze të profilizuar. Ka ardhur koha që të kemi një muze kombëtar të arkeologjisë nënujore që t’u përgjigjet standardeve ndërkombëtare. Kati i tretë i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, që aktualisht po i nënshtrohet një rikonstruksioni, mund të shërbente shumë mirë për të bërë një pavijon për arkeologjinë nënujore. Ka material shumë të bollshëm e interesant. U bënë dy vjet që unë po merrem me kthimin e spirancave antike. Janë të kompozuara me dru dhe elemente plumbi, të periudhës arkaike duke nisur nga shek 7 para erës sonë deri në shek 3. Vetëm me studimet e bregut të Jonit kemi gati 80% të tipologjisë mesdhetare të këtyre spirancave dhe kjo tregon se çfarë kontaktesh ka pasur në brigjet e Ilirisë. Nëse studiojmë më pas edhe anijet antike të mbytura në brigjet tona, është një informacion i pafundmë për specialistët e rinj”, thekson Anastasi.

Të dhëna

Një anije në Kepin e Rodonit?

Një anije antike mund të gjendet e mbytur në Kepin e Rodonit. Arkeologu Adrian Anastasi thotë se kanë të dhëna që mund t’i çojnë në gjetjen e një relikti në Kepin e Rodonit. “Janë të dhëna që i kemi marrë e konsultuar me peshkatarët lokalë, sepse ende nuk e kemi përfshirë këtë zonë në ekspeditën tonë”, tregon Anastasi.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com