Ritvan Zykaj, përveçse është bratisur nga familja pas masës së sigurisë “arrest në burg”, u dërgua drejt ambienteve të paraburgimit në Vlorë, ku është vendosur në një qeli i vetëm.
Burime nga Policia kanë konfirmuar se duke qenë se ende nuk ka një raport zyrtar të ekzaminimit të tij mendor, është vendosur që ai të qëndrojë i vetëm për të shmangur ndonjë përplasje në qeli.
Por, që pas seancës gjyqësore, 24-vjeçari i akuzuar për vrasjen e tetë kushërinjve të tij nuk ka dashur të dalë më nga qelia. Ai nuk ka pranuar të dalë as në orarin e ajrimit në ambientet e oborrit, duke dashur të qëndronte i vetëm dhe i izoluar gjatë të gjithë kohës. Ndërkaq, siç mësohet, ai nuk e ka refuzuar ushqimin. Edhe në ambientet e paraburgimit, atij nuk i ka shkuar asnjeri ta takojë.
Ende mban rrobat, me të cilat u paraqit në Gjykatë, ku një bluzë siç mësohet ia kishin dhënë efektivë të Policisë së Vlorës. As prindërit, as i vëllai apo e motra dhe as ndonjë i afërt tjetër nuk janë paraqitur për ta vizituar atë apo për t’i sjellë ndërresa të tjera.