Kancelarja gjermane Angela Merkel përsëriti sot mbështetjen e saj për një qasje të përbashkët europiane ndaj çështjes së emigracionit, ndërsa u dha përgjigje një sërë pyetjesh të publikut për herë të parë pas mosmarrveshjeve lidhur me këtë çështje, që rrezikuan të destabilizonin qeverinë e saj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve nga një përfaqësi e përzgjedhur e publikut në qytetin lindor Jena, Kancelarja Merkel deklaroi se politika qendrore në nivel europian kishte përgjegjësinë, “jo vetëm për të kritikuar, por edhe për të dhënë zgjidhje”.
“Europa s’mund të bëjë vetëm çfarë Gjermania mendon se është e drejtë”, shtoi ajo.
Merkeli u shpreh gjithashtu se demokracia nuk është vetëm vendim i shumicës, por ka të bëjë edhe me mbrojtjen e pakicave.
“Europa do të jetë e suksesshme vetëm nëse deklarojmë: Jemi krenarë që jemi të ndryshëm. Ne nuk duam të bëhemi të gjithë njësoj”, deklaroi ajo.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me burokracinë europiane, Merkel la të kuptohej që praktikat burokratike në Gjermani nuk ishin tërësisht për shkak të BE-së.
“Edhe ne kemi përshtypjen se këtu në Gjermani shpesh jemi shumë të përpiktë”, u shpreh ajo.
Një mosmarrëveshje lidhur me politikën e azilit me Ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer, rrezikoi shpërbërjen e koalicionit qeverisës të Kancelares Merkel në fillim të korrikut./atsh