Të papriturat qofshin ato pozitive apo negative janë të paparashikueshme. Kështu shprehet analisti Artur Zheji teksa i referohet ngjarjeve të fundit si protestat në Rumani, vrasja e 8-fishtë e psikopatit të Selenicës, ashtu si edhe shembja e paimagjinueshme e Urës në Gjenova.
“Humori i popujve, është si thonin dikur të vjetrit i krahasueshëm me trillet e natyrës, është gjithmonë “kapriçioz” dhe hopet cilësore të akumulimeve sasiore, janë të paparashikueshme. Rasti rumun e rrëfen këtë. Rumunët nuk pritën të kthehen nga pushimet për të protestuar dhe për të tronditur Bukureshtin.Mirëpo Opozita shqiptare, përjashto ca postime të herëpashershme, është me pushime, sepse “jeta është e ëmbël”, edhe për opozitarët…”, thotë Zheji.
Pash Zotin, Opozita le të pushojë, njerëz janë dhe le ta gëzojnë jetën, por të pretendosh pastaj se kur ti bien “bilbilit”, njerëzit duhet të vrapojnë pas tyre, është me pikëpyetje, aq më tepër që Km-ja dhe skuadra e tij mediatike, punon në mënyrë të tillë që krijon përshtypjen se “timonieri” nuk e lëshon drejtimin asnjë minutë. Në këto pushime të Opozitës, që realisht mund të jenë të shkurtra por që perceptohen si të gjata, me tërë këto krime dhe aksidente që po ndodhin, opinioni lexon me të tepërt dobësinë e vullnetit të saj, për të ndryshuar realisht gjërat dhe raportin e forcave.
Sepse nëse situata është realisht kaq dramatike dhe kritike, si e përshkruan Opozita, në fjalimet dhe “statuset” e veta, “pushimet” dhe nxirjet në diell, buzë detit apo buzë lumit, japin një mesazh tjetër, një mesazh që nuk përputhet me fjalët e ndezura, që të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin dhe nuk frymëzojnë. Madje, ashtu si në futboll, kur një skuadër ambicioze kërkon të përmbysë rezultatin, ushtron “pressing” te kundërshtari, për të rrëmbyer një top, të përfitojë një gabim të mundshëm, nga euforia e skuadrës tjetër, që është në të shumtën e vet, sot që flasim, jashtë Shqipërisë dhe në plazhet më ndjellëse të botës, edhe Opozita shqiptare, duhet të ishte në “punë”, për të dëshmuar, që ashtu si edhe “deklaron”, situata ka nevojë për një “korrigjim”, sa më të shpejtë…
Nga ana tjetër, KM-ja, mban gjithmonë një “sy shkelur”, ndaj “enturazhit ekonomik” të Opozitës, apo le të themi me delikatesë: “ndaj lobistëve të saj”, të cilët, nga “Tepsia” e pushtetit, me kujdesin e drejtpërdrejtë të KM-së, marrin gjithmonë e më shpesh, lehtësira, favore apo “llokma bakllavaje”, leje ndërtimi apo liçensa special, për ushtrimin e “biznesit” të tyre.
Ndërkohë që këtë vjeshtë, do të kemi një spektakël mediatik proqeveritar të paparë dhe për këtë KM-ja, ka marrë të gjitha masat e duhura në mënyrë të përsosur, me njërën dorë te shkopi dhe me tjetrën te arrat, te lejet e ndërtimit, te liçensat, te llokmat e bakllavasë nga “tepsia” e pushtetit, të cilën si edhe donte e ka të gjithën përpara, në tryezën e vet të punës. “Ciao Rumania!” Në Shqipëri kemi det të bukur dhe opozitarët heqin spinën… Ndërsa mediat do të fillojnë e të këndojnë: “Marsh o KM, edhe nga ditët tona!”…