Nga Arli Minga
Nuk kam dashur në fakt, të ndaj mendimin tim për ngjarjen e rëndë të fshatit Resulaj të Selenicës, por kur shoh se papritur kemi një reaksionin të shtrirë në mendjet dhe zemrën e cdokujt, i cili rreket të japë zgjidhjen e vet, ku cdokush po rreket të ngrejë një kauzë, është e pandershme që të mos ta ndaj mendimin tim me të gjithë.
Kam guximin të pyes këdo që i qenka “prishur” gjaku nga plumbat e kobshëm të Ritvanit të mjerë, me cilin moral po i ngrini të ashtuquajturat “kauza”? Me c’moral po bëni moral? Asnjë nga ne nuk e ka moralin për të kërkuar të bëjë drejtësinë, kur ne nuk kemi tentuar të jemi të drejtë dhe guxoj sërish të besoj, se disa ditë pas lebetisë së Resulajt, gjithcka do të tretet në harresën e gjithëkohshme që na ka karakterizuar.
Sigurisht, nuk dua e as nuk po kërkoj të marr rolin e një antikonformisti të neveritshëm, por thjesht dua të ngre zërin për t’i parë gjërat pak më ftohtë, me një sens të mprehtë realizmi, dhe jo më kot e bëj sot, atëherë gjaku ynë nuk po “zien” nga masakra e Resulajt.
Do të ishte e dhimbshme, do të ishte c’njerëzore, do të ishte e pafre në qoftë se ndonjërit prej nesh nuk do t’i ndizej një zjarr për të bërë drejtësi për ato jetë të marra në atë mënyrë, me atë lebeti që panë në castin e fundit ata fëmijë të pafajshëm, ata prindër që kishin thurur ëndrra për fëmijët, e ata gjyshër që nuk i “ngrysën” ditët e fundit në qetësinë që fati do duhej të kishte rezervuar. Por a është e drejtë mënyra se si ne të gjithë kërkuam drejtësi?! Unë mendoj që jo.
Pse jo? Sepse nuk është e drejtë të bësh drejtësi duke patur alibi një ngjarje të tillë. Pak apo shumë, ne jemi të gjithë fajtorë për masakrën e Resulajt, për jetët e humbura, por edhe për Ritvan ditëziun, apo shumë e shumë “ritvanë” të tjerë që kanë qenë e kanë ikur, që janë e do të vijnë, apo vet ne “ritvanët” modernë, që kurrë nuk mendojmë për shkaqet, por “turremi” të mbledhim copëzat e pasojës.
Ju ftoj të reflektojmë pakëz mbi veprimet tona të përditshme. Detajet në të cilat djalli është fshehur gjithmonë, aty ku syri nuk depërton lehtë, pasi injorimin ndaj realitetit ne e kemi sindromë të avancuar, e medoemos syri nuk mund të kapë ato detaje.
Kur ka qenë hera e fundit që si prindër u kemi thënë fëmijëve se kush është më i dobët ka nevojë për një dorë të ngrihet? Dyshoj të ketë patur një herë të fundit, sepse në të vertetë nuk ka patur asnjë herë të parë. Madje prindërit bëhen aq diskriminues nga “adhurimi” që kanë për fëmijën e tyre, sa u thonë fëmijëve që më të dobëtit t’i injorojnë, t’i diskriminojnë, t’i mënjanojnë, t’i fyejnë, sepse ata (të dobtit) nuk i përgjigjen nivelit të hamendësuar që prindërit vizatojnë në kokë për fëmijët e tyre.
Kur ka qenë hera e fundit kur ne vet kemi ndihmuar dikë me cfarë kemi patur mundësi, dikë të panjohur, të dobët, në nevojë? Logjika do të qëndronte e njëjtë në mungesë të herës së parë. Sepse ne nuk kemi kohë, oh sa të zënë jemi me hallet tona, të dehur mes të mirash, në ekstazë për të arritur “qiej” të tjerë, pa menduar aspak se atje poshtë ka një botë që lëngon.
Kur ka qenë hera e fundit që mësuesit e këtij vendi fatkeq të kenë menduar të ndihmojnë një fëmijë, një nxënës problematik, me zemrën plot, pa obligimin që ushtron detyra në ndërgjegjen e tyre profesionale, por me ndërgjegjen e pastër kristal të njerëzores? Logjika qëndron prapë e njëjtë, sepse hera e parë nuk ka ndodhur.
Kur ka qenë hera e fundit që vëmendja ndaj fshatit ka qenë e mirëfilltë? Asnjëherë! Instutucionet arsimore, por dhe të cilitdo lloji në fshatra janë “ku thërret qameti”. Po duke mos garantuar një edukim të shëndetshëm për brezat, nuk mund të presësh nga brezat një rezultat më të mirë se fara që ke mbjellë.
E pra, i dashur populli im, ne nuk mund të “klithnim” për vdekje kur shumë pak përpara, ishin humbur 8 jetë. Ne nuk mund të dënonim pa kurrfarë mase një viktimë, që shkaktoi viktima. I dashur populli im, ne jemi vrasës të heshur përditë, ne vrasim pa kallashnikov përditë, ne nuk japim jetë shumë shpesh duke përjashtuar shumimin. Ne e kemi thellë në instikt eleminimin e më të dobtit, por mos harroni: sic ne evolojmë mënyrat tona në shfarosjen e më të dobtëve, ashtu evolon dhe i dobti mënyrat e veta për të na bërë ballë. Në rastin tonë mori kallashnikovin dhe vrau 8 prej nesh.
Moralin njerëzor e kemi përtokë. Atë institucional e kami fare pa moral. Për të reflektuar nuk bëhet fjalë. Atëherë, le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë mish i huaj, ata janë thjesht produkt i keq i shoqërisë sonë që i ka luftuar vlerat deri në rrënjë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”! Fundja i kemi në shtëpi, në shkollë, në punë, kudo ku ne injorojmë sensin njerëzor që aq shumë kemi dashur ta mbrojmë ndër mijëvjecar, që aq shume e kemi adhuruar në rreshtat e letërsisë, që aq shume e propagandojmë e që me aq qetësi e vrasim ngadalë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë aspak më të ndryshëm nga ne, jemi të gjithë nga pak si Ritvani, edhe unë…