“Dy emigrantë shqiptarë kanë humbur jetën nga shembja e urës në Genova!”.
Kështu ka deklaruar në një lidhje telefonike për Fax News shqiptarja Marjeta Musaraj e cila ka qenë dëshmitare në vendngjarje.
Ajo rrëfen momentet e tmerrit që ka përjetuar dhe tregon se çdo ditë jetonin me frikë pasi këmba e urës lëvizte.
“Një djalë 23 vjeç dhe një djalë tjetër kanë humbur jetën. Jam shumë e tronditur. Unë dëgjova se ato po i priste pronari për të punuar. Tani mora vesh se kanë vdekur të dy.
Është një frikë shumë madhe sepse aty shpërthyen dhe tubat e gazit. Nuk kishte të bënte me stuhinë, thonë që ka rënë një rrufe, por ajo kishte nevojë që të rindërtohej. Por aty është faji i atyre që nuk e rindërtojnë. Kishin3 muaj që punonin punëtorët aty.
Nga dita në ditë ajo dëgjohej dhe më shumë. Këmba e urës lëvizte. Rrezikon që të bie dhe pjesa tjetër dhe aty ka çisterna të gazit. Fati më i madh që nuk ka rënë e gjitha dhe është shkëputur e gjitha.”
Deri tani janë konfirmuar 35 të vdekur, 13 të plagosur, ndërsa 10 persona janë të zhdukur. Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të urës në mes të saj, një pjesë në shtratin e një lumi, por të tjera mbi shtëpitë dhe kapanonet industriale që ndodhen nën të.
Ura e ndërtuar në vitet 1960 është e njohur si “ura Morandi”. Pjesa e shembur është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera. E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan atë pjesë të qytetit si shumë të banuar.
Shkak për shembjen e urës mund të jetë bërë një defekt strukturor. Autostrada është mbyllur në drejtimin Xhenova-Savona dhe gjithashtu në drejtimet Milano-Xhenova dhe Xhenova-Aeroport.
Liguria është përfshirë prej disa orësh nga reshje të dendura shiu, pa pushim, ndërsa Mbrojtja Civile kishte shpallur alarmin “portokalli”./faxweb