Policia e Vlorës, me siguri edhe pas asaj që ndodhi në Resulaj, ku u vranë tetë persona, ka marrë masa të menjëhershme ndaj personave, të cilët posedojnë armë pa leje. Blutë e Vlorës kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, që lëviznin me pistoleta.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle me qëllim evidentimin, kapjen dhe ndalimin e personave që posedojnë armë zjarri pa leje. Sekuestrohen dy armë zjarri “Pistoleta” . Arrestohen në flagrancë dy shtetas. Në kuadër dhe në zbatim të Plan-Masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për evidentimin dhe kapjen e ndalimin e personave të cilët posedojnë armë zjarri pa leje, strukturat e kësaj Drejtorie kanë vijuar kontrollet e imtësishme në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.Gjatë 24 orëve të fundit janë ushtruar kontrolle, në ambjente të hapura, kontrolle ndaj automjeteve dhe personave që dyshohet se mund të posedonin apo qarkullonin me armë, si dhe në lokale e banesa.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, ditën e sotme, Policia e Vlorës, ka evidentuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin, O. A., 19 vjeç, banues në Vlorë.U krye arrestimi i tij pasi në lagjen “24 Maji”, gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë tip Zastava, pa leje.Ndërsa një tjetër rast u konstatua ditën e djeshme nga Policia e Sarandës në lagjen “Nr.1”, ku gjatë kontrollit në ambjentet e një lokali u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, 3 gramë kanabis dhe u arrestua shtetasi B.M., 38 vjeç, banues në Tepelenë. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.