Loading...

Përtesa popullore!

NGA DENIS DYRNJAJA

Aq e dëshpëruese është gjendja e reagimit publik në këtë vend sa tani doli teza që qeverinë duhet te vijnë e ta rrëzojnë, emigrantët tanë. Kjo ide u përhap pasi një foto e protestuesve rumunë bëri xhiron e saj në Facebook me një pankartë ku shkruhej “Ne nuk jemi Shqipëria” dhe njerëzit e bënin pa ndalim share edhe pse dukej qartë që foto nuk ishte koherente, pasi njerëzit në protestën rumune shfaqeshin me kapuçë, shalle e pallto në kohë dimri. Por vërtetësia e fotos është një çështje periferike. I rëndësishëm është mesazhi i fotos. Ajo që bën përshtypje është reaksioni që kjo foto krijoi dhe etja për reagim që gjithmonë mbetet një reagim fjalësh në rrjetet sociale, pa veprim real në Shqipëri. Po pse shqiptarët e kanë te vaktë reagimin popullor dhe protestën?!

Faktori kryesor është mungesa e kulturës së protestës që nuk u krijua dhe zhvillua siç duhet në një vend demokratik. Protesta është njëri nga elementët bazik të reagimit në demokraci, por demokracia nuk u vendos dhe ushtrua kurrë siç do të duhej me të gjithë elementët e saj ku mes të tjerash të promovohej, kultivohej dhe zhvillohej kultura e protestës. Ajo është shëndeti i demokracisë. Protesta ndërgjegjëson individin dhe mban në presion qeverinë në veçanti e shtetin në tërësi për detyrimet që për një pushtet në shërbim të tij, jo në shfrytëzim të tij. Por cilët janë mekanizmat që e vendosin në lëvizje protestën?

Dy prej tyre janë Sindikatat dhe Shoqëria Civile. Asnjëri prej tyre nuk është në rolin e vet natural demokratik. Sindikatat u formuan, ekzistojnë dhe vegjetojnë si shtojca të krahëve politik, pasi prej tyre individët dhe grupet që “i kapën” këto sindikata i përdorën për përfitime dhe axhenda personale. Ato tashmë nuk gëzojnë as besimin më minimal publik, ndërkohë që thuajse janë inekzistente si forma në organizimin strukturor të ndërmarrjeve shtetërore apo sipërmarrjeve private. Një situatë e ngjashme shfaqet edhe mes Organizatave Joqeveritare (OJQ).

Janë me dhjetëra e qindra me emra shumëllojesh por fantazma në aktivitetin real publik dhe mision ndërgjegjësues. Një burim tjetër reagimi janë studentët. Edhe ata janë në një letargji shumëvjeçare përjashto grupime shumë të vogla që reagojnë, por që janë të pafuqishme për të krijuar vorbulla dhe presion të fortë për kauzat apo problematikat shqetësuese që burojnë nga keqqeverisja ose ushtrimi arrogant i pushtetit ndër vite. Pra në mendësinë publike është krijuar idea që duhet protestuar, por protestën ta bëjnë të tjerët dhe meqë të tjerët nuk gjenden këtu brenda vendit, tani na erdhi një ide nga rumunët që shpresa e protestës, organizimi dhe vetë protesta të organizohet nga emigrantët. Dhe për këtë shërbeu një foto e supozuar nga një protestë antiqeveritare e emigrantëve romunë ku shkruhej “Ne nuk jemi Shqipëria”.

Një popull që pret që gjërat t’i ndryshojnë të tjerët për të është i destinuar të keqpërdoret dhe nëpërkëmbet. Ndaj politika ka bërë ç’i ka dashur qejfi këto 28 vjet sepse ky popull pret dhe pret, pret që dikush të protestojë për të, të revoltohet dhe të kërkojë të drejtat në emër të tij. Dhe derisa të gjendet politika do të bëjë ç’i ka qejfi sepse është vetë zot e vetë shkop, me një popull që është edhe shurdh edhe miop.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com