Sporti në Shqipëri po shuhet ngadalë dhe dhimbshëm. Nuk investohet mjaftueshëm dhe nuk u jepet hapësirë të rinjve që të kenë një karrierë sportive. Sportistët në Shqipëri punojnë pa sigurime dhe me përjashtim të disa sportistëve titullarë, të tjerët ushtrojnë sportin thjesht për pasion, por pa mundur të ndërtojnë karrierë apo që të konkurrojnë në nivele të larta.
Kushtet janë skandaloze, investimi dhe stimujt financiarë mungojnë tërësisht, ndërsa ligjvënësit tallin tr*pin duke bërë gjoja se po vënë dorën në zemër e krijojnë një Ligj Sporti, që nuk i vlen kërrkujt, sepse është hartuar e miratuar nga ata që nuk kanë ushtruar sport asnjë ditë në jetën e tyre dhe nuk kanë kurrfarë haberi nga sporti.
Dihet, mjerimi social në Shqipëri është fakt evident i raportuar nga të gjithë organizmat e besueshëm që e kanë studiuar fenomenin, por po aq i besueshëm është dhe mjerimi i sportit, ku vihet re pakësim i numrit të sportistëve në të gjitha disiplinat dhe një dëmtim i infrastrukturës. Natyrisht, një pjesë është amortizuar nga koha e gjatë e ndërtimit, por ka mjaft gjëra që calojnë nga organizimi i klubeve sportive dhe ajo që është “thembra e Akilit”, mungesa e vëmendjes shtetërore dhe politikat e gabuara të institucioneve përgjegjëse.
Shembull mund të merret atletika, gjimnastika, mundja, peshëngritja, alpinizmi, qitja etj., pra shumësportëshi. Shqipëria ka pasur sporte të zhvilluara dhe rezultate të larta dhe në rang ndërkombëtar në këto disiplina, por sot një pjesë e madhe e tyre janë shkrirë, mungon tërësisht infrastruktura dhe klubet që dikur kishin një emër të mirë sot kanë mbetur vetëm emra në letër.
Programi për sportin nuk dihet në cfarë sirtari ka përfunduar dhe Ministria as me gojë nuk e përmend sportin. Në kaq kohë, ministrja Lindita Nikolla nuk është dëgjuar të flasë një herë për shumësportëshin në Shqipëri. Dhe s’ka c’farë të thotë, sepse shumësportëshi ka vdekur.
Sot kryeqyteti i vendit, Tirana, me 1 milion banorë, nuk ka një pistë atletike me standarde, madje s’ka pistë fare. Kryeqyteti nuk organizon dot një kampionat atletike sepse s’ka ku ta bëjë. Me prishjen e “Qemal Stafës”, u prish edhe pista dhe hapësirat e tjera që shërbenin për kërcimet në atletikë. Impianti i ri, “Arena Kombëtare e Tiranës”, është vetëm për futbollin dhe nuk ka planifikuar asgjë për atletikën.
Premtimet që u bënë nga qeveria dhe sidomos nga FSHF se do ta ndihmonin atletikën duke i ndërtuar një pistë me tartan dhe ambiente ndihmëse për hedhjen e diskut, cekicit, kërcimet së larti e së gjati etj, prapa “Sheratonit”, nuk u mbajtën dhe sot atletika jonë është në kushtet e mbijetesës. Ajo po vdes ngadalë dhe kot mburremi që kemi një kampion si Izmir Smajlaj, apo atletja kampione Luiza Gega, sepse numërohen me kokrra sportistët e licensuar.
Sa për sportin e gjimnastikës, kaq me traditë në të shkuarën, sot nuk kemi fare ekipe, një sport drejt zhdukjes. Mundjes i janë pakësuar fondet në vazhdimësi dhe ky sport me kaq traditë në Shqipëri lëngon fort, duke operuar në kushtet e mbijetesës falë punës së disa teknikëve të apasionuar. Peshëngritja ka qenë peng e njerëzve të Ilir Metës, kurse qitja dhe disa sporte të tjera që kërkojnë infrastrukturë specifike po shuhen ngadalë. Janë mbi 15 disiplina sportive që po shuhen në Shqipëri, sepse për to nuk ka as kushte e tani së fundmi nuk ka as sportistë.
Të rinjtë më parë e kanë mendjen të ikin nga Shqipëria sesa të ushtrojnë sport apo të ndërtojnë karrierë sportive. Në një vend ku nuk ofrohet siguri në asnjë fushë është e vështirë të ketë përparim. Këtu talentet shkojnë dëm sepse nuk u jepet mundësia, ndërsa shteti që duhet të jetë rregullator dhe investitori kryesor në infrastrukturë nuk e vë ujin në zjarr për këtë “zhburrnim” të sportit shqiptar.
Në këto kushte, është e udhës që ministres t’i kujtohej të “heqë syzet” e të shohë mjerimin ku ndodhet sot shumësportëshi në Shqipëri. Por kujt t’ia thuash?! Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, e ka mendjen te parukeritë e jo te hallet që shqetësojnë sot sportin.
Në institucionin e saj, fatkeqësisht, nuk ka një drejtori të mirëfilltë për sportin. Në zyrat e Nikollës flitet vetëm për ngjyrën e flokëve, pushimet në vendet ekzotike, emërimet e militantëve në arsim e në sport, suportin e UET-së së Henri Cilit dhe për dashnorët e dashnoret e ministrave e drejtorëve. /Pamsport.com