Në këtë shkrim unë nuk kam qëllim, as tagrin dhe mundësinë të flas për këtë se e bëjnë dhe e kanë bërë veteranët e gjallë dhe historiografia jonë kombëtare që e njeh kontributin e vyer të krahinës në LANÇ dhe më gjatë në gjithë momentet nevralgjike historike të Shqipërisë.
Dua të hedh disa mendime për Mallakastrën si krahinë dhe për figurat e shquara dhe historike së saj që i kanë bërë nder tërë kombit shqiptar.
Mallakastra, e vetmja krahinë në Shqipëri që e ka merituar të quhet dhe “martire”. Po të gërmosh në histori dhe etimologji emrin “Mallakastër” do të thotë latinisht male-castre (kala e keqe). Kjo krahinë e vogël por me “nam” e ka marrë këtë emër nga hordhitë e ushtrisë romake të Jul Çezarit, pasi u bë koloni romake që në sundimin e Augustit. Mallakastra është një krahinë që shquhet për intrasigjencën patriotike dhe figurat e saj që kanë zënë vend të nderuar në panteonin patriotik. Kjo zonë me tipare dhe tradita burrërie dhe trimërie, por edhe urtësie dhe kulture të lashtë, ka simbol Bylisin antik të Ilirisë.
Pak histori për Bylisin
Bylisi (Byllis) që nga sh. VI p.k. – ka qenë qytezë e zhvilluar e Ilirisë, dhe ka patur dhe teatrin dhe gjimnazin e vet. Në vitet 230-168 p.k. ka prerë dhe monedhat e veta. Klosi – Nikaia – qytet tjetër 1400m larg Bylisit, me pikën dominante të Gradishtës dhe kalanë e Nikaias. Dy qendra të tjera të lashta banimi kanë qenë dhe Margëlliçi dhe Allambrosi, por kohët e fundit janë gjetur gjurmë qyteti të lashta dhe në afërsi të Cfirit. Bylisin e përshkruan gjeografi grek Skylaksi si një qytet Ilir që në v.380 p.e.s.
Plini Plaku (historian romak) e quante popullin e Bylisit – barbar dhe e cilëson atë si koloni Romake që nga Sh. I-re. Ndërsa Ptolemeu në sh. II dhe Herakli në sh. VI, e klasifikonin atë ndër qytetet kryesore të Ilirisë, krahas Apolonisë, Butrintit dhe Amantias. Nën sundimin e Augustit qyteti i Bylisit u kthye në një koloni Romake, ku u vendosën veteranë romakë. Qyteti i Bylisit iu dorëzua Çezarit të Romës në v. 49-48 B.C.
Në vitin 431 peshkopi Felix, i Apolonisë dhe i Bylisit, mori pjesë në koncilin e Efesit. Në vitin 458 Bylisi kishte një peshkop të vetin. Gjatë sundimit të Justinianit (527-565) Bylisi përmendet edhe si një nga qytetet kryesore të Provincës së Epirit të Ri. Ai u shkatërrua përfundimisht nga sllavët-serbë (për herë të dytë) dhe nga kur u braktis fare, ne v. 586.
Ja ç’shkruan në librin e tij “Mallakastra dhe Myzeqeja” austriaku C. Praschniker (1920): “Në zonën malore-jugore shtrihet Mallakastra. E gjithë krahina është një zonë kodrinore që vjen dalëngadalë duke u ngritur nga perëndimi drejt lindjes, kokojkat (majat) e kodrave të kësaj zone përbëhen nga argjili, shtufi, dhe guri ranor, dhe rrallë gjen mbi to dhe formacione gëlqerore (kreshta e Shpiragut..). Më tej zona kodrinore prej guri të butë ndërpritet pastaj prej malesh të moçëm prej guri gëlqeror (kreshta e ashpër e malit të Shëndëllisë) dhe kurrizi-thikë i gjatë dhe uniformë i Shpiragut, i cili ndërpritet nga qafa e butë e Sinjës, që ka qenë prej kohësh të lashta një shteg kalimi për në jug d.m.th. drejt Vjosës e përmes saj drejt Vlorës dhe Italisë. Mallakastra e Butë është zonë me popullsi më të dendur, në tokë të punuar më mirë dhe me nivel kulturor më të lartë të Shqipërisë…”.
Reminishenca historike në vite
Në memorien time ka mbetur si një imazh që s´venitet lehtë figura e Bektash Cakranit, që ishte fillimisht kryetar i lëvizjes së rezistencës së Mallakastrës, ndaj pushtuesve. Më vonë këtë stafetë ai ia dorëzoi “me dëshirë“ Mehmet Shehut dhe ky ia “shpërbleu“ dorëzimin e stafetës dhe kontributin e tij patriotik duke e varur në litar në Ballsh pas çlirimit.
Që në kohën e Perandorit bizantin me nam Kantakuzen (Cantacuzene, sh. XII) dalin në pah mallakastriotët në takime direkte me të për problemet e krahinës. Dhe siç e dimë historinë dhe më pas në reformat e mëdha radikale të Tanzimatit që ndërmori Perandoria Osmane/Turke del në pah emri i heroit mallakastriot Rrapo Hekali. Dhe kjo traditë e kësaj krahine martire ka vazhduar e trashëguar e tillë në shekuj deri në kohën tonë.
Për të nënvizuar këtë fakt po përmend disa nga njerëz që kan lënë gjurmë në historinë tonë e më gjerë, që nga Rrapo Hekali, etj, si prijës të kryengritjes së Tanzimatit apo të patriotëve Ismail Klosi, Hajredin e Musa Fratari (që kanë hapur dhe shkollën e parë shqipe në Mallakastër) e Refat Rexhepi, Shefqet Hekali apo dhjetra heronj e dëshmorë të tjerë të luftës nacional-çlirimtare si Dervish Hekali, Ramiz Aranitasi e Dino Kalenja dhe të tjerë heronj të spikatur të kombit, pra nga nacionalistët më në zë dhe deri tek figurat e forta Mehmet Shehu, Liri Belishova, Bilbil Klosi, Hajdar Aranitasi, Feçorr Shehu, Idriz Seiti, Zaim Myftari pa harruar këtu dhe “heronjtë e heshtur“ të dalë nga kjo krahinë, që qenë vërtetë burra që punuan me ideal për këtë vend. Por kjo krahinë ka patur ata që mbajnë nofkën “të këqij“ sepse u rreshtuan në krahun tjetër të palëve ndërluftuese, si Isa Toska, Besim Belishova, Kadri Cakrani, Isuf Hasani etj.
Mallakastra e braktisur!
Ndërsa po të vijmë në periudhën e pas 1991 apo të pluripartitizmit mendoj se Mallakastra e parë si “macja e kuqe“ e kohës së komunizmit është lënë pas dore, pothuajse ka mbetur në hije dhe është braktisur apo dhe nuk ka mundur të përfaqësohet vetë denjësisht nga përfaqësues të saj të “dalë” me votë, ku ende s´eshtë rivendosur “dirigjimi“ i zhvillimit ekonomik nga shteti apo supervizimi qeverisës dhe s´ka patur përfaqësimin që meriton në investime publike dhe në promovimin e ndryshimeve social-ekonomike.
Dhe le të vijmë tek hallet e mallakastriotëve që janë si kudo të shumta dhe që lidhen me mjetet më minimale jetike. Pas kaq vitesh pritshmërie dhe stanjacioni, është bërë një gjendje e padurueshme sa ekonomike dhe mjedisore për shkak të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës, që rrallë i përmenden “bëmat” përveçse ka mbetur i vetmi vend punësimi për mallakastriotët dhe qytetarët e Ballshit dhe nga rrethinat e tij dhe Fieri, por nga analizat e ajrit thuhet se “qyteti është bërë i pabanueshëm”. Me alternativat e punësimit dhe të jetesës janë tejet të kufizuara, kjo “krahinë martire” ndoshta mbetet ende krahina më e varfër në vend.
Ndoshta për kontributin në luftë mallakastriotët “e privilegjuar“ disi më shumë se të tjerët nga shteti i kaluar pritën më shumë dhe nga shteti i ri, por abandonimin s´e kishin pritur dhe për këtë janë të shumtë ata që thonë se ajo nuk ka pasur përfaqësimin e duhur siç e meriton në parlament dhe qeverisje. S´është bërë për të asnjë investim serioz që mund të përmendet, këtë e dëshmon realiteti vajtues i qytetit të Ballshit dhe krahina e tërë, por dhe dhe lumi Gjanica që vazhdon të rrjedhë i zi, nga jashtëqitjet kimike të naftës së uzinës apo ç´është më kryesorja, gazrat që emeton uzina e kanë bërë qytetin e Ballshit pothuajse të pabanueshëm.
Dhe këto për hiçgjë, për vendosjen e një impianti-purifikues në oxhakët e uzinës dhe një në dalje të lëngjeve-mbetëse (outlets) të saj, gjë që mesa di ka filluar të projektohet dhe që qeveritë duhet t’i çojnë deri në fund. Ashtu si dhe duhet të mendojnë për hapjen e fronteve të punës për mallakastriotët, se kjo krahinë me kodra të ëmbla dhe ujrat e Lumarës, mund të zhvillojë një frutikulturë dhe agrumeri model siç tha dhe Nikita Hrushovi kur i hodhi një sy krahinës gjatë udhëtimit që bëri për në Sarandë.
Por të gjitha këto, ndonëse nuk janë veza e Kolombit, mendoj se arrihen kur të vritet mendja dhe nga ish-menaxherët me përvojë të bujqësisë së krahinës të konsultuar dhe në bashkëpunim me risitë e kohës dhe praktikat bashkëkohore dhe rregullat e ekonomisë së tregut e promovuar ndoshta kjo dhe e mbështetur me një politikë krediti dhe teknologjie bashkëkohore, kjo dhe për krahina të tjera të ngjashme dhe të varfra nga vetë shteti, etj si këto dhe për të bërë projekte zhvillimi. Kësaj krahine s’i kanë munguar dhe s´i mungojnë dhe intelektualët, por shpesh në krye të punëve dhe përfaqësimit në qeverisje kanë dalë njerëz të pamerituar./njekomb