Loading...

Mbyll siparin Festa e Birrës, rekorde vizitorësh në Korçë

Festa e Birrës, eventi më i madh festiv veror, mbylli mbrëmë siparin në Korçë, ndërkohë që sipas të dhënave paraprake, këtë vit janë thyer rekorde sa i takon numrit të vizitorëve.

Bashkia e Korçës konfirmoi për ATSH-në se “numri i vizitorëve këtë vit ka tejkaluar pritshmëritë”.

Nga data 8-12 gusht, në 5 netë befasuese, 2 skena dhe me emrat më në zë të muzikës, Korça ofroi eventin më të madh të këtij sezoni veror.

Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, ndërsa nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet mënyrës së organizimit të saj me një program muzikor të shkëlqyer me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm.

Po ashtu gjatë 5 netëve të organizimit të Festës së Birrës u promovua edhe një gamë e gjerë birrash vendase dhe të huaja.

Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e bashkisë Korçë.
Festivali është nderuar me Çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com