Një djegie e pakujdesshme e mbeturinave, që në kushtet e temperaturave të larta, mund të kthehej në një katastrofë mjedisore duke rrezikuar edhe jetë njerëzish është parandaluar në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.
Parandalimi u bë i mundur nga shërbimet e vrojtimit të Parkut të cilët njoftuan për prani tymi në zonën e fshatit Babunje.
Pas njoftimit, janë mobilizuar menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Divjakë, shërbimi zjarrfikës i bashkisë Divjake dhe i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier.
Gjithashtu në vendngjarje kanë mbërritur dhe punonjësit e AdZM Fier, Fotjon Prence përgjegjës monitorimi dhe Astrit Jolla renxher i zonës, që konstatuan se kishin të bënin me djegien e një ferre nga pakujdesia.
Specialistët e AdZM së bashku me policinë monitoruan zonën për prani të gjurmëve të pa fikura të zjarrit dhe kontaktuan me fermerët aty afër, për kujdesin maksimal që duhet të tregojnë./atsh