Loading...

Presidentë klubesh me precedentë penalë, federatë kulisash e matrapazësh dhe lojtarë mediokër – ky është sot futbolli shqiptar

Në fund të kësaj jave do të nisë kampionati i ri kombëtar i Kategorisë Superiore, i reklamuar fort nga Armando Duka dhe kapobanda e tij, teksa e drejta televizive për katër vitet në vijim do të jetë po në pronësi të mediave të Dukës dhe ortakëve të tij, duke bërë që futbolli të ngjajë fort me një biznes privat të Dukës dhe kupolës mafioze të futbollit, të përbërë nga anëtarë komiteti gjysmëpolitikanë e gjysmëbiznesmenë, nga struktura disiplinore e juridike të përbërë nga juristë që kanë në CV-në e tyre abuzimet, si dhe presidentë klubesh e drejtorë teknikë e sportive të lidhur me politikën, ose me burgaxhinjtë.

Ka plot presidentë klubesh me precedent penalë, prandaj futbolli në Shqipëri është i marrë peng dhe nuk njeh cilësi.

Klubet punojnë në interes të presidentit dhe është ky i fundit që emëron e shkarkon trajnerë sipas tekave të tij, afron e largon lojtarët sipas shijeve të tij e aspak kritereve profesionale.

Ja faktet:

Skënderbeu që ka dominuar futbollin në Shqipëri prej gati një dekade është penalizuar nga UEFA për trukim ndeshjesh, duke qenë edhe në media e huaja simboli i mashtrimit dhe pasurimit të paligjshëm. Në Shqipëri nuk e gjen asgjë, sepse federata ka në krye Armand Dukën që është ortak me Ardian Takajn në këtë “biznes”.

Vllaznia u mor peng nga politika dhe u keqmenaxhua, duke u degraduar si klub dhe për pasojë duke rënë në inferiore, dëshmi e pengmarrjes nga politika dhe horrat e partisë.

Tirana, gjithë ai klub i madh, përpëlitet pej vitesh të krijojë profilin e një klubi profesionist, por nuk është gjëkundi. Midis presidentit Halili dhe tifozerisë ka një mospërputhje të thellë, gjë që nuk e ndihmon as skuadrën.

Ekipe si Teuta, Kastrioti e ndonjë tjetër kanë taban suportues me ngjyra kriminale dhe këtë e dinë mirë banorët e qyteteve të këtyre skuadrave.

Kurse Partizani është shembulli i klubit ku politika ka depërtuar aq thellë sa drejtor është vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, i përfolur fort që ka shtrirë duart edhe në kompanitë e basteve. Që këtu i vihet vula rezultateve që doo të prodhojë futbolli ynë.

Kurse klubet e kategorive inferiore ngjajnë më shumë si banda rrugësh, ku në fuqi është ligji i xhunglës. Kush ka ndonjë mik gjen punë si futbollist dhe merr paratë me kontratë nga bashkia përkatëse, me detyrën  vetme për t’i rënë topit me këmbë dhe të mbash veshur një uniformë sportive. Në të kundërt, edhe po ka ndonjë talent ai do të shkojë dëm, sepse zinxhiri i funksionimit të klubeve calon në cdo aspekt.

Të gjitha këto tregojnë qartë batakun ku është futur sporti në përgjithësi dhe futbolli në vecanti. Ai operon në një terren llum, sepse llumi është ai që e komandon në të  gjitha nivelet. Vetëm për futboll nuk flitet në Shqipëri, sepse ky sport  është  shndërruar  në  një  biznes  të  pistë  e të shpifur  të pazarxhinjve  ortakë, mafias  së  futbollit  në  bastet e paligjshme dhe oligarkët  e babëzitur që pastrojnë paratë  nëpërmjet të ashtuquajturave “investime në sport”. /Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com