Loading...

KAZAKISTAN – Marrëveshje historike për statusin e detit Kaspik

Zyrtarët e pesë vendeve që kufizojnë detin Kaspik nënshkruan sot në Kazakistan një konventë që përcakton statusin ligjor të këtij deti strategjik, që përmban depozita të mëdha hidrokarburesh.

Të mbledhur në portin kazak të Aktau-së, zyrtarët e Rusisë, Iranit, Kazakistanit, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit nënshkruan këtë dokument që i jep detit Kaspik një status, nga i cili ishte privuar që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Mikpritës i ceremonisë, presidenti kazak, Noursoultan Nazarbaiev, kishte deklaruar para nënshkrimit se drejtuesit do të merrnin pjesë sot në një ngjarje historike.

“Mund të themi se ka qenë e vështirë për t’u arritur një konsensus mbi statusin e detit dhe ka marrë shumë kohë, bisedime janë zhvilluar prej 20 vitesh dhe janë nevojitur përpjekje të mëdha dhe të përbashkëta nga palët e përfshira”, shtoi ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, mbështetës i fuqishëm i kësaj marrëveshjeje, përmendi një konventë, nënshkrimi i të cilës do të bënte epokë dhe kërkoi një bashkëpunim më të madh ushtarak për vendet e detit Kaspik.

Marrëveshja do të ndihmojë në kapërcimin e tensioneve ekzistuese për një kohë të gjatë në rajonin, që përmban rezerva të mëdha hidrokarburesh, vlerësuar me rreth 50 miliardë fuçi nafte dhe rreth 300 000 miliardë metra kub gaz natyror./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com