Zbardhet vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Strasburgut për “të dëmtuarit” – pronarë të ish-pallatit të shembur të Ujit të Ftohtë të Vlorës, që kishte “pushtuar” edhe një pjesë të detit.
Sipas Shqiptarja.com, Shqipëria duhet t’u paguajë 18 shtetasve shqiptarë – ku “pjesën e luanit” do ta marrë vjehrri i kreut të PD Lulzim Basha, Xhafer Isufi – dhe një italiani, deri më 28 gusht 2018, një shumë gjigande parash, më të madhin dëmshpërblim të kryer ndonjëherë në 28 vjet demokraci.
Konkretisht, përfituesit do të marrin sa më poshtë: 16.8 milionë euro sëbashku, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme, në lidhje me dëmin monetar; ku përfshihen edhe 7.800 euro secili për Xhafer Isufin dhe Xhuvi Sharrxhiu, dy bashkëpronarët dhe ndërtues të pallatit, si dhe 13.000 euro për secilin nga pronarët e tjerë të apartamenteve të prishura, për dëmin jomonetar; 84.500 euro për të gjithë kërkuesit, së bashku, plus çdo taksë që mund të jetë e taksueshme, për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara në gjykatat vendëse; 9.600 euro për kërkuesit M. Hanxhari, T. Pojani, G. Calliku, M. Mecaj, E. Durolli, B. Rakipaj, P. Rakipaj, A. Deromemaj, së bashku për tarifat e avokatëve brenda vendit dhe 18.000 euro për të gjithë kërkuesit, së bashku, plus çdo taksë që mund të jetë e tarifueshme për kërkuesit, për kostot dhe shpenzimet në Strasburg.
Në rast se qeveria nuk do të paguajë shumat e sipërpërmendura në kohën e caktuar, atëhere hyn në fuqi interesi, i barabartë me interesin bazë të Bankës Qendrore Evropiane plus 3%, ka vendosur Gjykata.
Gjykata
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (seksioni i parë), ka marrë në shqyrtim ankimin e bërë nga pronarët e pallatit, tashmë të shembur, duke marrë vendim më 11 janar të këtij viti, vendim, i cili ka marrë formë të prerë më 28 maj 2018.
Trupi gjykues përbëhej nga Linos-Alexandre Sicilianos, kryetar; Kristina Pardalos; Ledi Bianku (përfaqësues i Shqipërisë); Aleš Pejchal; Armen Harutyunyan; Pauliine Koskelo; Tim Eicke, gjyqtarë dhe Abel Campos, regjistrar i seksionit. Çështja ka filluar me një kërkesë kundër Republikës së Shqipërisë, dorëzuar në Gjykatë nga 18 shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian, më 19 shkurt 2016. Kërkuesit u përfaqësuan nga A. Saccucci, avokat i cili ushtron profesionin në Romë. Qeveria shqiptare përfaqësohej nga agjentja e saj, A. Hicka nga Zyra e Avokatit të Shtetit.
Kërkuesit kanë pretenduar se, si pasojë e neglizhencës së autoriteteve ndaj një vendimi të gjykatës administrative, ishte shkelur neni 6§1 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, sipas nenit 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, ata u ankuan për një ndërhyrje në gëzimin e qetë të pasurive të tyre dhe bazuar në nenin 8 të Konventës, u ankuan për një ndërhyrje në të drejtën e tyre për respektimin e banesave të tyre. Në vijim, ata u ankuan, mbështetur në nenin 13 të Konventës, për mungesën e një mjeti efikas të brendshëm për kërkesat e mësipërme.
Kërkesat
Kërkuesit kërkuan nga Strasburgu për dëmin monetar 14.222.986 euro, sipas raportit të ekspertit, për t’u ndarë midis kërkuesve në mënyrë proporcionale sipas sipërfaqes së pronave të tyre në Rezidencën Jon; 20.000 euro në mënyrë të barabartë për çdo kërkues si një shumë shtesë për humbjen e mundësive, shkaktuar nga konfiskimi i paligjshëm, shpronësimi dhe shembja e godinës; 15.000 euro në mënyrë të barabartë për kërkuesit nr. 3–19, në listën te shtojca, për humbjen e sendeve të tyre personale, sendeve me vlerë, mobileve dhe artikujve të shtëpive si rezultat i shembjes së godinës, raporton shqiptarja.com.
Xhuvi Sharrxhi kërkoi edhe 15.000 euro mbi normën e barazisë për humbjen e pajisjeve dhe mobileve që ai zotëronte në bar-restorantin e tij. Ata parashtruan se, duke qenë se godina u shemb, ishte e pamundur që ata të përcaktonin në mënyrë precize shumën e dëmeve ose të paraqisnin të dhëna të sakta për pasuritë e luajtshme që ishin shkatërruar.
Një shumë shtesë është kërkuar nga vjehrri i Lulzim Bashës, Xhafer Isufi dhe Xhuvi Sharrxhi për interesin që rrjedh nga kësti i fundit i një huaje bankare (marrë për ndërtimin e godinës), me normë 7% nga 27 nëntori 2013 deri në datën e shpalljes së vendimit nga Gjykata.
Ata parashtruan se kërkuesit kishin marrë një kredi prej 397.920.600 lekësh (rreth 3 milionë euro) dhe tashmë kishin shlyer dy të tretat përpara shembjes së godinës. Kërkuesit thanë se i detyrohen ende Bankës “X” këstin e tyre të fundit prej 903.350 euro. Pas shembjes së Rezidencës Jon, kërkuesit nuk kanë mundur të shlyejnë këstin e mbetur dhe interesi i konsiderueshëm ka filluar të rritet me një normë interesi vjetore LIBOR prej 7%, thanë ata.
Qeveria, nga ana e saj, argumentoi para Gjykatës së Strasburgut se, për aq kohë sa kërkesat e ankuesve për kompensim për dëmin monetar u ishin nënshtruar procedimeve gjyqësore, të filluara në nivel vendës dhe pjesërisht nuk ishin ngritur në gjykatat vendëse, ato duhet të kundërshtoheshin si abuzim me të drejtën për të aplikuar.
Kërkuesit nuk mund të kompensoheshin dy herë. “Shumat ishin të ekzagjeruara, spekulative dhe të pabazuara. Kërkuesit nuk kishin paraqitur asnjë kërkesë në gjykatat vendëse për dëmin monetar për humbje përfitimesh, interesin e huas së marrë në bankë dhe dëmin e pretenduar për humbjen e pasurive të luajtshme dhe të ndërtesave. Po ashtu, kërkuesit nuk i kishin ndarë në zëra kërkesat e tyre. Për më tepër, kërkuesit nuk janë kompensuar deri më sot, me arsyen se procedimet ishin pezull në Gjykatën e Lartë, jo për mungesën e gatishmërisë së autoriteteve”, deklaroi përfaqësuesja e shtetit.
Ndërkohë, më 3 maj 2017, në përgjigje të letrës së Gjykatës, gjatë përgatitjes për seancën dëgjimore, kërkuesit parashtruan kërkesa shtesë për dëmin monetar.
Sipas tyre, përllogaritja e dëmit monetar bazohej në vlerat e tregut të përcaktuara në vërejtjet e tyre të para 1.600 euro për metër katror, në lidhje me mjediset e banimit dhe 2.200 euro për mjediset e biznesit. Vlera neto e sipërfaqes së shpronësuar (8.218,15 metër katrorë), e cila rezultonte në 14.222.986 euro, ishte përshtatur më tej, sipas tyre, sipas normave të inflacionit në Shqipëri për periudhën 27 nëntor 2013 (data e shpronësimit) deri më 31 mars 2017.
Momenti i shembjes së pallatit në zonën e Ujit të Ftohtë të Vlorës, në pronësi të vjehrrit të kryetarit të PD, Lulzim Basha
100 mijë euro për “shqetësimin”!
Në dokumentin e Strasburgut del edhe një kërkesë tjetër e ankuesve. Ata kanë kërkuar nga Gjykata Evropiane që të vendoste dëmshpërblimin në masën 100.000 euro secili për dëmin jomonetar, duke pretenduar se veprimet e autoriteteve u kishin shkaktuar atyre “vuajtje morale serioze”.
Ata parashtruan se një sërë faktorësh duhej të merreshin në konsideratë, të tillë si: “irritim dhe ankth, që buronin nga fakti i të qenit dëshmitarë të pafuqishëm në abuzimet e kryera nga autoritetet shqiptare dhe nga pamundësia për të parandaluar shembjen e paligjshme të pronave të tyre, si edhe gjendja e tejzgjatur e ankthit të shkaktuar nga mosdijenia nëse do të mund të merrnin ndonjëherë ndonjë kompensim”. Për më tepër, Xhafer Isufi dhe Xhuvi Sharrxhi, të cilët kishin qenë investitorët në Rezidencën Jon, ankoheshin më shumë nga të gjithë, për shkakun se, si pasojë e prishjes së pallatit dhe pamundësisë së pagesës së kredisë bankare, kishin qenë të detyruar ta mbyllnin kompaninë e tyre në fund të vitit 2015.
Qeveria u parashtroi argumentet e tyre si të pabazuara në fakte dhe të dhëna. Kërkuesit nuk paraqitën ndonjë të dhënë, qoftë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë për të provuar se kishin vuajtur dëme ndaj biznesit ose shëndetit mendor. Kërkuesit po ashtu nuk kishin mundur të shfrytëzonin mjetet e brendshme dhe kishin abuzuar me të drejtën e tyre për t’u ankuar.
Shkeljet
Gjykata gjykon se me veprimet dhe mosveprimet e autoriteteve shqiptare është shkelur neni 13 së bashku me nenin 6§1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; është shkelur neni 6§1 i Konventës; është shkelur neni 8 i Konventës, për kërkuesit nr. 3–19 sipas listës në shtojcë, në lidhje me konfiskimin e godinës; është shkelur neni 13 së bashku me nenin 8 të Konventës në lidhje me kërkuesit 3–19 sipas listës në shtojcë, për sa i përket konfiskimit të godinës; është shkelur neni 1 i protokollit nr. 1 të Konventës në lidhje me konfiskimin e godinës; është shkelur neni 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, në lidhje me konfiskimin e godinës; është shkelur neni 13 së bashku me nenin 1 të protokollit nr. 1 të Konventës, në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës; është shkelur neni 1 i protokollit nr. 1 të Konventës, në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës.
Pra, konkretisht, Gjykata e Strasburgut vendos se është shkelur e drejta e pronarëve për gëzimin e qetë të pasurive të tyre; e drejta e tyre për respektimin e banesave përkatëse, si dhe u ka munguar një mjet efikas brenda vendit për të realizuar dëmshpërblimin për të drejtat e munguara.
Arsyetimi
Gjykata e Strasburgut vëren se, gjatë procedimeve në lidhje me shpronësimin dhe shembjen e godinës së kërkuesve, gjykatat vendëse argumentuan se autoritetet kishin miratuar vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013, pa pritur për vendimin në themel dhe duke neglizhuar urdhrin e përkohshëm. Megjithatë, ato nuk u akorduan kompensime kërkuesve. Në këtë mënyrë, Gjykata mendon se autoritetet vendëse nuk arritën të kompensonin kërkuesit në lidhje me ankesën e tyre për moszbatim të urdhrit të përkohshëm në favor të tyre dhe se ata kanë të drejtë të pretendojnë të jenë viktima të një shkeljeje të pretenduar.
Gjykata, gjithashtu, ka konstatuar se ndërhyrja e policisë, e cila çoi në rrethimin e ndërtesës dhe në ndalimin e kërkuesve të kishin akses në shtëpitë e tyre dhe t’i përdornin ato, përbënte një ndërhyrje nga një autoritet publik ndaj së drejtës së tyre për respektimin e shtëpive të tyre.
Nga ana tjetër, Gjykata vëren edhe se çështja në lidhje me nivelin e kompensimit kishte mbetur pezull në Gjykatën e Lartë që prej vitit 2014. Më 15 janar 2015, Gjykata e Lartë i pezulloi procedimet pa dhënë asnjë arsye. Gjykata vërejti se kërkuesit deri në momentin e gjykimit në Strasburg nuk ishin kompensuar, madje as në shumën e akorduar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013./korrieri