Operacioni për kapjen e Ridvan Zykajt ka nisur të konkretizohet në tri drejtime.
Mësohet se forcat e policisë, RENEA dhe FNSH kanë rrethuar fshatin që prej disa orësh për të bërë të mundur kapjen e autorit, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pak pasi ekzekutoi me kallashnikov të afërmit e tij, pjesë e një trungu familjar. Por 24-vjeçari favorizohet nga fakti se e njeh shumë mirë terrenin në zonën e tij, pasi është edhe bari. Dyshime ka gjithashtu se ai mund të fshihet edhe në ndonjë prej shpellave që ka në këtë zonë, ndërsa errësira e bën të vështirë lokalizimin e tij.
Nga informacionet e deritanishme mësohet se forcat e policisë kanë hyrë edhe nga krahu i fshatit Roms, si dhe nga krahu i Mallakastrës, ndërsa në përforcim të tyre kanë ardhur edhe FNSH nga Fieri, përveç repartit të RENEA-s.
Sakaq, nuk përjashtohet edhe mundësia që autori të jetë larguar përmes një rruge që të nxjerr edhe në autostradën Levan-Tepelenë.
Në këtë operacion janë mbi 100 punonjës policie që kanë zbarkuar në terren për të vënë në pranga Ridvan Zykajn, autorin e krimit të 8-fishtë në Resulajt të Vlorës.
Përveç forcave të rendit, në terren janë marrë edhe qenë të policisë, për të bërë të mundur gjetjen e të riut.
Viktimat
- Demir Zykaj, 75 vjeç (Vëllai i gjyshit të autorit)
- Ferie Zykaj, 72 vjeçe, (Gruaja e Demirit)
- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i Demirit)
- Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)
- Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)
- Ledjon Zykaj 9 vjeç (Djali i Besimit)
- Azem Zykaj (Djali i Demirit)
- Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)