Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar shkarkimin e prokurorit të Krimeve të Rënda Gentian Osmani, i cili njihet si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Kërkesa për shkarkimin e tij vjen pasi Osmani u konfirmua në detyrë nga KPK pak javë më parë.
Rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Osmani, ONM-ja ia ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë. Komisioneri Publik do ta shqyrtojë rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publik.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Sipas raporteve të KPK-së, Osmani nuk kishte probleme me pasurinë, duke u konfirmuar edhe nga DSIK për pastërtinë e figurës dhe përshtatshmërinë për të qënë prokuror. Osmani është i njohur si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri./korrieri