Loading...

Zgjedhjet lokale, Basha përdor strategji të fshehtë për zgjedhjen e kandidatëve të tij të preferuar

Zgjedhjet lokale që do të mbahen qershorin e vitit të ardhshëm do të jenë një tjetër test për kreun e PD-së, Lulzim Basha që deri tani ka humbur dy procese zgjedhore. Por cështja nuk është vetëm te fati i Bashës. Lulzim Basha dhe grupi i tij i bashkëpunëtorëve, kanë lënë një shteg në statusin e ri të partisë, për të diktuar kandidatët për 61 bashkitë, duke shmangur organet e partisë dhe rrymat që vijnë nga baza.

Procedurat e reja për zgjedhjen e kandidatëve, parashikuar në statusin e ndryshuar të PD, do të jenë të vlefshme dhe do të veprojnë vetëm për kandidatët për deputetë dhe jo për kandidatë për kryetar bashkie. Ky përjashtim do të thotë se kandidatët për 61 bashkitë do të zgjidhen sërish në limitet e fundit kohore, në mungesë transparence, duke shmangur strukturat dhe në bazë të lobimeve dhe lidhjeve me kryetarin.

Hileja

Statuti i ndryshuar i Partisë Demokratike, në nenin 62, parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm për vlerësimin e kandidaturave elektorale. Komisioni i dorëzon Kryesisë së PD një raport për secilin kandidat, nëse plotëson kriteret formale si dhe elementët e tjerë të specifikuara nga një vendim i kryesisë së PD.

Por, në nenin 62 thuhet se Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, i cili përbëhet nga 5 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë, shqyrton vetëm kandidaturat e propozuara nga strukturat lokale të partisë dhe atyre të vetëpropozuara për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, duke përjashtuar kandidaturat për njësitë vendore. Ky detaji në dukje i papërfillshëm, mundëson diktimin e kandidatëve të Partisë Demokratike për 61 njësitë vendore, jashtë statutit të partisë.

Bien kriteret

Me përjashtimin nga kjo pikë, bien edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët e Partisë Demokratike për njësitë vendore. Neni 61 i statutit parashikon që kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët miratohen me Rregulloren e Brendshme dhe lidhen kryesisht, por pa u kufizuar, me arsimimin, integritetin, ligjshmërinë e pasurisë, të shkuarën gjatë regjimit komunist, mospasjen e rekordeve kriminale, si dhe standardet dhe rregullat e përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës. Ky parashikim do të zbatohet gjithnjë vetëm për kandidatët për deputetë.

Ndërkaq, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve bashkëpunon në realizimin e këtij procesi me Komisionin e Integritetit dhe Etikës, për mbledhjen dhe vlerësimin e të dhënave mbi kandidatët. Çdo kandidat është i detyruar që të plotësojë një vetëdeklarim mbi të dhënat e tij, si dhe të paraqesë çdo dokument të kërkuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, që provon përmbushjen e kritereve dhe standardeve etike të përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës.

Zgjedhja e këshilltarëve

Statuti i PD parashikon një tjetër rregull për zgjedhjen e kandidaturave për këshillat bashkiakë. Sipas nenit 12 pika 3, kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Kryesia e PDSH duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidaturave. Ajo ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme. Përjashtimisht, për Bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve përgatitet dhe propozohet nga Kryesia e Degës, dhe miratohet nga Kryesia e PDSH/korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com