Loading...

Kush vjedh rërën, gjobitet deri në 3.000 euro

Gjobë deri në 3000 euro do të marrin ata që vjedhin rërën. Kështu kanë vendosur autoritetet në Sardenja  duke ashpërsuar qëndrimin ndaj turistëve që vjedhin rërë nga plazhet e kristalta të ishullit si suvenir. Më herët këtë javë, një 40-vjeçar italian, por që jetonte në Britaninë e Madhe, u gjobit me 1.000 euro, pasi policia e kapi atë me një shishe me rërë nga plazhi Gallura, në veri të ishullit.

Ndoshta edhe pa qenë në dijeni të seriozitetit të shkeljes, disa turistë e konsiderojnë rërën aq të mrekullueshme, saqë nuk mund t’i rezistojnë idesë për ta marrë me vete në shtëpi. Por, problemi e prek Sardenjën prej vitesh, me më shumë se një ton rërë të gjetur në bagazhet e turistëve në Aeroportin e Cagliarit vetëm verën e shkuar.

Kjo ndodh pavarësisht tabelave nëpër plazhe, që paralajmërojnë qartë turistët se është e ndaluar të merret rërë. Zakonisht rëra futet në shishe plastike apo çanta, me etiketa në të cilat shkruhet emri i plazhit nga ku është marrë. Autoritetet thonë se, edhe pse praktika duket e padëmshme, ajo nuk është thjesht shkelje, por edhe dëmtim i ambientit në ishull.

Por ka edhe nga ata hajdutë rëre që pendohen. Në vitin 2016, një grua që kishte marrë rërë nga Budelli, një plazh i Sardenjës i famshëm për rërën e tij ngjyrë rozë, e ktheu atë pas 29 vitesh. Ngjyra rozë e rërës shkaktohet si pasojë e një përzierje mes fragmenteve të koraleve, granitit dhe guackave. Sardenja, që është shumë e frekuentuar nga vizitorë të pasur, ka kilometra plazhe të bukura dhe 28 prej tyre kanë fituar statusin e “flamurit blu” për sa i takon pastërtisë./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com