Një vendim-pazar i KLD, që tregon si vërtetoheshin dhe nuk ndëshkoheshin skandalet e rënda me gjyqet
VENDIM I KLD, Nr. 105, datë 21.07.2014 Për dhënie masë disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, ndaj gjyqtares Herila Çela
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e datës 21.07.2014, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për procedimin disiplinor të gjyqtares të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Herila Çela dhe marrjen e masës disiplinore ndaj saj, “Dërgimi për 1-2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku ka emërimin.
VËREN SE: 1. Ministri i Drejtësisë me shkresën nr. 949 prot., datë 06.02.2014, i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkesën për procedimin disiplinor ndaj gjyqtares Herila Çela, për shkeljet që ka konstatuar Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në veprimtarinë e saj gjyqësore pasqyruar në shkresat drejtuar Ministrisë së Drejtësisë e konkretisht: nr.697 prot., datë 05.03.2013; nr.262/1 prot., datë 20.03.2013 dhe 262/2 prot., datë 30.04.2013; nr.2372 prot., datë 26.08.2013.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, dëgjoi parashtrimet e Ministrit të Drejtësisë që relatoi relacionet e dërguara nga Inspektorati i Këshillit në drejtim të tij për inicimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares Herila Çela, për verifikimin e 4 ankesave, si më poshtë.
– RELACIONI I PARË, i është dërguar Ministrit të Drejtësisë me shkresën nr.697 prot., datë 05.03.2013 (për çështjen civile me ankues Kiço Billa).
– RELACIONI I DYTË, i është dërguar Ministrit të Drejtësisë me shkresën nr. 262/1 prot., datë 20.03.2013 [për çështjen civile me ankuese Odeta Haxhi (Dogga)].
– RELACIONI I TRETË, i është dërguar Ministrit të Drejtësisë me shkresën nr.262/2 prot., datë 30.04.2013 (për çështjen civile me ankuese Myzejen Zyka).
– RELACIONI I KATËRT, i është dërguar Ministrit të Drejtësisë me shkresën nr.2372 prot., datë 26.08.2013 (për çështjen civile me ankuese Dodona Ramadani).
KONKLUZION I KLD
Për këto shkelje të evidentuara në verifikimin e 4 ankesave Ministri i Drejtësisë ka konkluduar se veprimet e kryera prej gjyqtares Herila Çela, janë shkelje të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 3, shkronja “a” të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si raste të përgjegjësisë disiplinore në kategorinë e shkeljeve të rënda dhe i ka propozuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në shkresën nr. shkresën nr.949 prot.,datë 06.02.2014, drejtuar Këshillit, procedimin disiplinor të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor X, H.Ç., dhe marrjen e masës disiplinore “Dërgimi për 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij”.
MINISTRI NAÇO NDRYSHOI MENDIMIN, KËRKOI “PARALAJMËRIM”
- Në referim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr.137, datë 21.02.2003 Rregullore “Për procedimin disiplinor të gjyqtarëve” i ndryshuar, Ministri i Drejtësisë, në përfundim të shqyrtimit të këtij procedimi në seancën plenare të datës 21.07.2014, ndryshoi kërkimin e tij, për llojin e masës disiplinore, duke kërkuar përfundimisht marrjen e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” ndaj gjyqtares.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nga faktet e parashtruara konstaton se lidhur me çështjet e gjykuara dhe të zvarritura nga gjyqtarja Herila Çela, përbën shkelje të rëndë të ligjit me pasojë cënimin e lirive dhe të drejtave themore të njeriut.
Gjatë veprimtarisë gjyqësore në mënyrë të përsëritur, nga gjyqtarja Herila Çela, ka shkelur disa dispozita, të detyrueshme për zbatim të legjislacionit procedural në fuqi dhe shkeljet e konstatuara prej saj, rezultojnë dhe dalin qartë, në të gjitha aktet shkresore të marra në shqyrtim në këtë vendim-marrje të KLD.
Në sjelljen e gjyqtares H.Ç., KLD konstaton një mungesë kujdesi dhe operativiteti, neglizhencë, të tilla që kalojnë “kufirin e të arsyeshmes”, dhe që një sjellje e tillë nuk mund të justifikohet, sjellje e cila çon në cënimin e prestigjit të gjyqtarit dhe humbjen e besimit ndaj tij.
VENDIMI KLD
- Pranimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtares Herila Çela.
Dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” ndaj gjyqtares prej gjyqtares Herila Çela.
U shpall sot, më datë 21.07.2014, Zv/kryetari KLD, Elvis Çefa./Pamfleti