Loading...

Dita Europiane e Viktimave të Sistemeve Totalitare, kampi i Tepelenës në dritë

Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare do kujtohet në Tepelene më 23 gusht, duke e titulluar “Ditën Muze-Memorial Tepelenë”.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bënë të ditur se ka nisur puna për përgatitjet në ish-kampin e internimit në Tepelenë.

Sot, forcat e ushtrisë, filluan pastrimin dhe sheshimin e truallit qendror te ish-kampit te Tepelenës.

“Falenderime ministres Olta Xhacka qe iu përgjigj kërkesës sonë. Përgatitjet për përkujtimin e 23 gushtit janë në proces të ethshëm”, shprehet kryetarja e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.

Ditë më parë është zbardhur axhenda e aktivitetit që do të organizohet në kampin e Tepelenës me rastin e 23 gushtit, Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare në bashkëpunim më AIDSSH, bashkinë Tepelenë, ISKK dhe IIPP, të mbijetuar, institucione dhe shoqërisë civile.

Ky aktivitet synon që të jenë përkujtimor, edukativ, reflektues, rinor, artistik e dokumentues.

Aktivitetet do të jenë gjatë gjithë ditës si më poshtë: Nga orën 10.00, në sallën e teatrit të qytetit do të ketë një ekspozitë dokumentare me përndjekjen komuniste në Tepelenë, ku publiku i përbërë nga studiues, autoritete të qytetit dhe familje të ish-përndjekurve politikë, do të njihen me materiale të rëndësishme të Sigurimit në Tepelenë dhe në ngjarje të rëndësishme të rezistencës si p.sh Kryengritja e Zhabokikës, atë për të drejtën e besimit bektashi dhe katolik (përmes dosjes së At Gjergj Sulit, apo Baba Shefqet Koshtashit) apo atë të përndjekjes se Zenel Shehut apo Trifon Xhagjikës e Neim Pashës. Të gjithë figura të nderuara të përpjekjes për liri e dinjitet.

Më tej, po në sallën e Teatrit të Qytetit, do të zhvillohet Simpozium Shkencor që vë bazat konceptuale të punës shkencore për Muzeun e Punës së Detyruar në Shqipëri, me prezantime nga Prof. Beqir Meta dhe Prof. Dr. Ermal Frashëri etj.

Në orën 18:00 organizohet dhënia e dekoratave të nderit për 4 të mbijetuar të kampit të Tepelenës nga Presidenti Meta. Aktiviteti zhvendoset në mjediset e kampit të Tepelenës ku do të ketë disa postera, fotografi dhe dokumente të përgatitura nga AIDSSH

Aktiviteti mbështetet nga projekti “Përkutjo për të Parandaluar dhe Shëruar” financuar nga UNDP dhe Italia dhe partnerë të tjerë që do të bashkohen.

Në ora 19.30 fillon aktiviteti rinor artistik “Kampi N’dritë” dhe do të ndriçohet i gjithë kampi për një natë. Brenda në kampet do te ngrihen çadra kampingu ku do te akomodohen të rinjtë, dhe do të ketë disa performanca artistike ku pritet të mblidhen disa qindra të pranishëm, kryesisht të rinj. Do të shfaqet një film dokumentar “Edhe Muret Kanë Veshë” si dhe më pas do të projektohen në muret e kampit instalacioni “Edhe Muret Kanë Veshë” si dhe “I Përkasim Njeri Tjetrit”.

Vonë në mbrëmje ka performanca nga 2 grupe këngëtarësh “Asgjë Sikur Dielli” dhe “Tre muskëtierët” si shenjë e triumfit të jetës dhe dinjitetit njerëzor./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com