Loading...

Dyndje turistësh në Korçë, sot Festa e Birrës

Korça mirëpret sot Festën e Birrës, eventi më i madh festiv veror.

Stafi organizativ në bashkinë e Korçës, i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, po vijon punën për organizimin e kësaj Feste, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj.

Nëse ende nuk e keni vendosur se ku duhet të jeni këto ditë, mos u mendoni gjatë. Nga data 8-12 gusht do të jenë 5 netë befasuese, 2 skena, emrat më në zë të muzikës dhe shumë surpriza.

Gjatë ditës mund të vizitosh atraksionet e qytetit ndërsa në mbrëmje mund të shijosh festën te Pazari i Vjetër dhe sheshi para stadiumit “Skënderbeu”.

Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, ndërsa nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Mbi 100 000 persona pritet të vizitojnë Festën e Birrës në 5 netët e organizimit të saj (8-12 gusht).

Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet mënyrës së organizimit të saj me një program muzikor të shkëlqyer me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm.

Po ashtu gjatë 5 netëve të organizimit të Festës së Birrës promovohet një gamë e gjerë birrash vendase dhe të huaja.

Festa e Birrës nuk është thjesht një festë, por konsiderohet si eventi më i madh veror në Shqipëri.

Përgjatë 5 ditëve i gjithë qyteti i Korçës do të jetë në festë. Superkoncerte, birrë, gatime tradicionale, pranë Stadiumit Skenderbeu dhe festë tek Pazari i Vjetër… Kështu e kanë menduar organizatorët Festën e Birrës 2018.

Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë.

Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com