Loading...

Vlorë- Në rritje numri i turistëve nga Polonia, 3 herë më shumë se viti i kaluar

Rreth 150 mijë turistë nga Polonia, pritet të pushojnë gjatë këtij sezoni veror në bregdetin e Shqipërisë, kryesisht në Jug, një shifër kjo pothuajse 3 herë më e madhe krahasuar me atë të vitit të kaluar.

Kjo u deklarua nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Zoti  Krzysztof Kwiatowski, gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës në Vlorë, kur atij ju dorëzua Titulli “Qytetar Nderi i Vlorës”, akorduar nga këshilli bashkiak i këtij qyteti me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, me motivacionin, “Për kontribut të shquar në mbështetjen e institucioneve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”.

Në fjalën e tij, zoti Kwiatowski theksoi mes të tjerash se, ka një rritje të dukshme të interesimit të bashkatdhetarëve të tij për të pushuar në Shqipëri. Duke ju referuar të dhënave të agjencive turistike të Polonisë, ai tha se, treguesit kanë shënuar një rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, çka reflektohet edhe në shifrat e këtij viti, kur në bregdetin shqiptar pritet të mbërrijnë rreth 150 mijë turistë polakë, krahasuar me rreth 60 mijë që ishte ky tregues një vit më parë.

Duke falenderuar këshillin bashkiak, kryebashkiakun Dritan Leli dhe gjithë qytetarët vlonjatë për titullin e lartë, kreu i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, garantoi se do të jetë një Ambasador i Vlorës për promovimin e imazhit të saj dhe të resurseve turistike të këtij qyteti në Poloni.

Fluksi i turistëve nga Polonia, ka shënuar një rritje të vazhdueshme në Vlorë dhe në gjithë bregdetin e Jugut, gjatë viteve të fundit, krahas atyre nga Çekia, Ukraina, Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia, Rusia, Italia, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi, apo shqiptarët e Kosovës.

Realiteti i këtyre ditëve në Vlorë dëshmon dukshëm këtë rritje të interesimit dhe të pranisë së turistëve nga vende të ndryshme, ndërkohë që, krahas kësaj, është rritur në mënyrë të pazakontë edhe ankorimi i jahtëve dhe mjeteve të tjera lundruese turistike në kalatat e portit të këtij qyteti.

Për qytetarët vlonjatë, shtimi i numrit të turistëve të huaj dhe jahteve turistike, janë dy nga ristitë e këtij sezoni turistik. /Harilla Koç/iatsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com