Loading...

Majë kalasë së Argjiros dhe lëgjendës së saj që shënoi jetën e trimëreshave gjirokastrite

Shkruan: Anisa DEMIRAJ

Legjendat e kalave tona ndonjëherë janë shumë të ngjashme pasi në bazë të tyre kanë një sakrificë të madhe dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, me të njëjtën bazë do ta kishte edhe ajo e Argjiros prej nga mendohet se ka marrë edhe emrin kalaja po edhe qyteti, po kjo mbetet hipotezë.

“Ra Si Yll Po S’ u Shua

vështroi princesha krenare

në çdo kullë e nghdo kamare

si të fundit roje ranë

çdo pëllëmbë me gjak e lanë

dhe e vetme ajo mbeti

përmbi kullë porsi deti

që i hedh dallgët në rërë

turqit u vërsulën të tërë

që ta zënë yllin të gjallë

po a zihet ylli vallë?

Ja Argjiroja e shpejtë

tok me foshnjëzën e vet

u vërtit si zog në erë

nga kalaja në humerë

shkëmb më shkëmb seç u copëtua

ra si ylli po s’u shua

dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë

se fëmija i saj mbet gjallë

dhe që foshnjën ta mëkojë

qumësht zuri të pikojë”

Këto janë vargjet që një gjirokastrit me famë tashmë ndërkombëtare, Ismail Kadare shkruan për “nënën” që i dha fund jetës vetëm e vetëm mos të binte në duar të pushtuesve.

Kalaja është një nga simbolet më të bukura që qyteti ka dhe ajo ka një sërë pikash atraktive, të cilat do të mund të vizitohen, dhe për të cilat duhen orë të tëra. Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj. Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos.

Pika ku qëndron aktualisht aeroplani është shumë pranë mureve të kalasë së Gjirokastrës, nga ku shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. Ndonëse tani kjo Kala konsiderohet si atraksion turistik, deri në vitin 1968 ajo ka pasur namin e saj edhe ogurzi, ngase një pjesë e saj ka shërbyer si burg, i cili është njohur si “burgu i shtatë penxhereve”, ku që nga ajo kohë e deri më sot vazhdojnë të mbesin mbishkrimet e të vuajturve.

Por cila është legjenda që e mbulon kështjellën?

Princesha Argjiro mendohet të ketë qenë sundimtarja e qytetit të Gjirokastrës gjatë shekullit XIV. Ajo ishte e martuar me princin e këtij qyteti. Princesha Argjiro luftoi me turqit kur ata rrethuan kalanë e Gjirokastrës. Megjithatë, turqit e morën Gjirokastrën me tradhëti.

Prandaj princesha Argjiro për të mos rënë e gjallë në duart e turqve, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë bashke me djalin e saj foshnjë. Në fakt kjo ishte rruga e parë që ajo e bënte me djalin e saj.

Ajo ra drejt te një shkëmb dhe u copëtua, por djali i saj mbeti gjallë dhe për ta bekuar filloi të pikoj qumësht. Sipas legjendës thuhet se foshnja mbeti gjallë nga guri që pikonte qumësht. Legjenda thotë që emri i Gjirokastrës vjen pikërisht nga emri i princeshës.