“BYTHLËVIZURIT”
( Për të gjithë ata që nuk kanë bythë )
U mundova të gjeja një titull pak më etik dhe më komod. Dhashë e mora, po për çudi nuk më vinte ndërmend asnjë titull tjetër, sepse nuk e kam për zakon të përdor fjalë të tilla, por të më falë lexuesi.
Është fjala për ata lloj njerëzish që nuk gjejnë qetësi në një vend dhe eksplorojnë të gjejnë një vend më të rehatshëm dhe më komod dhe që vuajnë për grada, spaleta e lëvdata. Ndoshta njerëz të tillë mund të jenë bërë pishmend edhe pse kanë lindur. Nejse, kështu e kanë njerëzit, kërkojnë të gjejnë më të mirën. Por që të gjesh më të mirën, asnjëherë nuk duhet të priresh nga një njohje empirike. Jo, se zhgënjehesh, nuk është ky problem i vetëm, por kur nuk njeh veten është akoma më keq. Mos i shiko gunën një njeriu, po shikoji punën. Dhe kjo thënie popullore është mbështetur në përvojën e popullit, ndaj dhe ka dalë si shprehje. E njeh ti atë që rend pas tij, apo ecën symbyllazi dhe lajkosesh pas fjalëve dhe spaletave që të mbërthejnë mbi supe. Një këngë e bukur e brilantit Lefter Çipa, në disa prej vargjeve të tij, thotë:
“Edhe rrushi që të piqet,
kërkon një behar të tërë”…
Këta lloj njerëzish lëvizin nga një vend në tjetrin, ose siç thotë populli, “hu më hu”, por duhet patur kujdes, se në finish mund të të mbetet huri në vend të lig dhe nuk do kesh mundësi të çlirohesh prej tij.
Këta lloj njerëzish hyjnë tamam në kategorinë e të “bythlëvizurve”, vuajnë nga deliri i madhështisë dhe për t’u dukur vijnë vërdallë nëpër tub, sikur bëjnë striptizëm. E njeh veten?… E di sa e ke hapin?… Mos u mat me hijen e mëngjesit!… Sa i mençur është populli ynë me këto shprehje të bukura!
Kur nuk di di nga t’ia mbash, do të vijë ndërmend ajo shprehja tjetër popullore:
“ O Gjolekë dhatë-dhatë,
prapë në bythën time ratë”
Ndoshta atëhere do të jetë vonë. “ Kur vijnë mendtë, s’i hanë as qentë”, – thotë një shprehje popullore. Dyert do të jenë mbyllur e ti mbetesh jashtë…, ndaj mos e lëviz bythën, qëndro në një vend dhe ngule bythën mirë. Në ke bythë…?!/kozma Billa