Loading...

Vrasja në Borsh, pas sherrit me nusen del edhe një tjetër konflikt.

[sgmb id=”1″]

Një grindje mes dy fqinjëve dhe krushq me njëri-tjetrin ka përfunduar me një të vrarë. Ngjarja ndodhi dje në Borsh rreth orës 09:30, ku i vdekur ka mbetur Hetem Brahimaj, 79 vjeç. Autori Sokrat Xhuveli, 57 vjeç, u arrestua pak pas ngjarjes, shkruan “Panorama”.

Mësohet se Brahimaj dhe Xhuveli kanë pasur një debat të ashpër mes tyre, ndërsa pas grindjes 57- vjeçari ka marrë një armë gjahu në banesën e tij dhe, pasi ka shkuar në shtëpinë e krushkut të tij, e ka qëlluar atë për vdekje.

Nga Policia bëhet e ditur se i moshuari ka marrë dy plagë në kokë dhe trup, që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori i vrasjes u prangos pak pas ngjarjes dhe u dërgua në Komisariatin e Himarës, ku gjatë dëshmisë ka deklaruar se nuk ka dashur ta vrasë 79-vjeçarin.

Në vendngjarje shkoi grupi hetimor, ndërsa konfirmohet se janë dy pista kryesore në të cilat po heton policia për zbardhjen e vrasjes. Sipas të dhënave paraprake, mes autorit dhe viktimës, të cilët i kanë banesat pranë njëri-tjetrit, kishte një lidhje krushqie.

Mbesa e autorit është e martuar me djalin e viktimës dhe policia po heton rreth faktit nëse mund të ketë pasur një grindje brenda familjes së 79-vjeçarit me nusen e shtëpisë.

Dyshohet se pas ankesës së mundshme të nuses për sherret e vijueshme me vjehrrin, ka shkuar daja i saj për t’u sqaruar dhe kërkuar llogari, por më pas situata ka dalë jashtë kontrollit duke precipituar në vrasje.

Një pistë tjetër në të cilën po heton policia, është ajo e konfliktit të pronësisë. Kjo pasi ngritja e një kasolle bagëtish nga ana e viktimës afër tokës së autorit ka sjellë grindje mes tyre. Sipas dëshmive të banorëve të tjerë, konflikti për këtë pronë ka ekzistuar edhe më parë, pavarësisht lidhjeve mes tyre dhe fqinjësisë.

Nga hetimet e Policisë, Brahimaj kishte kërkuar disa herë ngritjen e një kasolle për të strehuar bagëtitë afër tokës së 57- vjeçarit, kërkesë e cila ishte kundërshtuar nga Xhuveli, duke i sugjeruar që të gjente një vend tjetër më të përshtatshëm.

Megjithatë, policia nuk përjashton pista të tjera të mundshme, përfshirë edhe të ndonjë grindjeje të momentit, e cila më pas ka përfunduar në vrasjen e njërit prej dy shtetasve të përfshirë në sherr.

Nga hetimet paraprake mësohet se në orët e para të mëngjesit dy fqinjët kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin, debat i cili përfundoi deri në përplasje fizike. Pas debatit të ashpër, 79-vjeçari është larguar drejt banesës së tij, ndërkohë që Xhuveli ka shkuar në banesë dhe, pasi ka marrë armën e gjahut, ka shkuar në shtëpinë e fqinjit duke e qëlluar atë.

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, 57-vjeçari e qëlloi fqinjin e tij dy herë në momentin që i moshuari sapo kishte hyrë në banesën e tij duke e lënë të vdekur në vend.

Nga informacionet e policisë, mësohet se në deklaratat e tij të para, Xhuveli është shprehur se nuk ka pasur si qëllim të vriste bashkëfshatarin e tij, por thjesht ta trembte, ndërsa arma i është shkrehur pa dashje. Megjithatë, gjendja psikologjike e 57- vjeçarit ka qenë e rëndë, konfirmojnë burime të Policisë.

Dëshmia 

Pas arrestimit, policia ka marrë në pyetje autorin e krimit, shtetasin Sokrat Xhuveli, 57 vjeç. Sipas të dhënave të Policisë, ai është arrestuar disa momente pas ngjarjes, ndërsa nuk ka bërë rezistencë.

Pas ndalimit, mësohet se ai ka qenë në kushte të rënda psikologjike dhe jo në gjendje të shpjegojë me detaje se çfarë kishte ndodhur. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se nuk kishte dashur ta vriste të ndjerin dhe se gjithçka i kishte dalë nga kontrolli, pasi arma ishte shkrehur pa dashje.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com