Erion Veliaj mbante shpresa se do të kishte “paqe” me LSI-në duke qenë se mes tyre kishte një bashkëpunim të fshehtë. Por, tashmë duket se në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk do të ketë kompromise. Petrit Vasili përmes një postimi në Facebook, akuzon Veliajn duke thënë se vuan nga kompleksi i të qenit provincial duke iu referuar origjinës së tij nga Berati dhe për këtë arsye ka urrejtje për Tiranën.
POSTIMI I PLOTE
Gërmadhat provinciale, që qeverisin dhe urrejnë Tiranën!!! Tirana është një e tërë. Tirana ka qenë dhe mbetet përfaqësuese e atyre standardeve shoqërore, intelektuale dhe morale, që e levizin përpara vendin.
Ç’janë këta kaqola, që na e shpifën me këto numra idiotësh jo 200 mijë andej po 800 mijë këndej. Këta gjithë ditën kanë pjesë të broçkullave të tyre krahasimin me Romën, Parisin, Londrën, Vjenën, Barcelonën, etj etj. Po kanë a dëgjuar këta kaqolët tanë ndonjëherë, që ata burra e gra të mençur dhe pa komplekse, që i drejtojnë ato qytete t’i ndajnë qytetet e tyre në “kaq mijë njerëz na duhen dhe kaq nuk na duhen”. Idiotësira të tilla vetëm këta tanët në Tiranë mund t’i nxjerrin nga goja. Këta “budallenjtë” e Europës restaurojnë me merak e dashuri çdo meter mur apo ndertesë, që mban gjallë memorien, kulturën e trashëguar dhe korpusin e vlerave intelektuale. Ndërsa këta bulimistët politikë, që qeverisin Tiranën shkatërrojnë, e shkatërrojnë, e shkatërrojnë me histeri të papërmbajtur.
Këta të kompleksuarit tanë vuajnë dhe nuk shërojnë dot provincializmin e tyre arkaik, pa ngjyrë, pa moral dhe plot urrejtje për Tiranën, nuk bëhen e nuk bëhen dot qytetarë të saj. Këta duke u hakmarrë ndaj Tiranës dhe duke shkatërruar trashëgiminë e saj, u duket sikur do shërojnë e qetësojnë komplekset e inferioritet e tyre, pa ditur se po i thellojnë ato. Ndaj Tirana i përbuz këta, dhe përbuzjen nuk e përcaktojnë numrat, por gërmadhat provinciale të cilat Tirana i bluan, i flak dhe vetëpastrohet prej tyre, siç ka bërë në dhjetëra e dhjetëra vjet, nga ku ka dalë më e shndritshme dhe më e fortë, por edhe më e pastër…..