Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cilësoi një lajm shumë të mirë dhe një vlerësim për Shqipërinë krijimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Në një intervistë televizive, ministrja Xhaçka theksoi se “pas këtij lajmi nuk ka asnjë diskutim që Shqipëria shikohet nga NATO si një partner shumë serioz, i rëndësishëm për sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Ministrja Xhaçka bëri të ditur se “punimet për bazën fillojnë që këtë vit dhe në 10 vitet e ardhshme do të kemi bazën që do të ndodhet në aeroportin e Kuçovës, që sot është i amortizuar. Në fazën e parë të projektit Aleanca e Atlantikut të Veriut pritet të investojë rreth 50 milionë euro”.
Sipas saj, krijimi i bazës së NATO-s në Kuçovë tregon një nivel të ri të marrëdhënieve me aleancën.
“Është një lajm i mirë për Forcat e Armatosura dhe Forcat Ajrore. Një mundësi që NATO të ketë një bazë mbështetëse të saj, sa i takon furnizimit ajror, mbështetje logjistike, policimit ajror, trajnimit dhe stërvitjes së aleancës”, nënvizoi Xhaçka, duke shtuar se ne na ndihmon për të rritur kapacitetet tona të forcës sonë ajrore duke ofruar një bazë që është e teknologjisë së fundit.
Por, shtoi ajo, këto janë zhvillime shumë të mira edhe për vendet ku ndodhen, sepse janë investime të rëndësishme që shkojnë përtej infrastrukturës ushtarake janë lajm i mirë për rajonin në përgjithësi.
Ministrja Xhaçka u shpreh se fakti që është zgjedhur Shqipëria është vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm përtej gjithë kufizimeve sakrificave dhe vështirësive që ka kaluar FA.Gjithashtu është vlerësuar edhe roli që Shqipëria luan për Ballkanin Perëndimor dhe rajonin, si faktor stabiliteti, që ka sjellë siguri për vendet e rajonit”.
Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor./atsh