Loading...

Thaçi paralajmëron referendum për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se raundi i tretë i bisedimeve do të mbahet në shtator dhe dinamika e takimeve të tjera do të rritet.

Në një konferencë për shtyp, Thaçi tha se “Kosova duhet të vazhdojë të mbetet e përfshirë në këtë dialog në mënyrë konstruktive”.

“Parlamenti i Republikës së Kosovës mbetet institucioni i vetëm shtetëror i përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve të vendit”, u shpreh Thaçi.

Ai paralajmëroi se edhe qytetarët e Kosovës duhet të përfshihen drejtpërdrejt në këtë proces, përmes referendumit.
“Jemi ndër shtetet e pakta demokratike që ende nuk kemi arritur të miratojmë legjislacionin e domosdoshëm për të fuqizuar rolin vendimmarrës të qytetarëve, konkretisht nuk e kemi të drejtën për të mbajtur referendum. Në shërbim të këtij qëllimi, unë jam duke zhvilluar konsultimet e nevojshme ndërinstitucionale, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që në një të ardhme të afërt, ne bashkërisht të pajtohemi për të proceduar me legjislacionin adekuat për të bërë të mundur që zëri dhe vullneti i qytetarëve në çështjet e rëndësisë vitale, të shprehet nëpërmjet referendumit”, nënvizoi Thaçi.

Thaçi u shpreh se “në rastin e arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e konsideroj si të domosdoshëm deklarimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet referendumit”.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë në gjendje që të bëhen vendimmarrës në këtë proces kaq të rëndësishëm, sidomos tani kur jemi dëshmitarë të divergjencave të theksuara ndërmjet partive parlamentare në parlamentin e Kosovës për dialogun dhe marrëveshjen eventuale përfundimtare”, tha Thaçi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com