Në vetëm 10 muaj, falë aplikimit në platformën e bashkëqeverisjes, qytetarë të shumtë shprehën interes për nisma të ndryshme, 6 prej të cilave u ndërmorën gjatë kësaj periudhe.
Një nga nismat më të rëndësishme që u aplikua në shkolla është nisma e zhvillimit të 3 lëndëve në 6 orë, lehtësim ky nga mbingarkesa e zakonshme e shkollës për nxënësit. Kjo nismë u rekomandua nga një grup prindërish dhe mësuesish.
Një tjetër nismë e ndërmarrë ka të bëjë me ndalimin e aktivitetit të guroreve pranë zonave urbane. Kjo e fundit u sugjerua nga banorët e Urës-Vajgurore, të cilët prej një kohe të gjatë e kanë vuajtur një problem të tillë.
Një nga nismat që lidhet edhe me zhvillimin e qëndrueshëm por jo vetëm, ka të bëjë me reduktimin e përdorimit të qeseve plastike. Kjo e fundit u propozua nga një grup ambientalistësh dhe biznesmenësh që propozuan tek ministria e Turizmit, nismë kjo që parashikonte edhe ndryshime ligjore.
Siguria rrugore në rrethin e Kurbinit – Kjo nismë u sugjerua nga një grup qytetarësh që propozuan zgjidhje për shmangie aksidentesh në qytetin e Laçit.
Përmirësimi i ofrimit të shërbimit mjekësor dhe farmaceutik në Rubik- Për qendrat shëndetësore shërbimi ofrohet edhe pasditeve. Ky sugjerim erdhi falë Ndue Përlala.
Ndërsa për ruajtjen e pyjeve në sheshet e Bulqizës, propozimi erdhi nga një grup qytetarësh që shprehën shqetësimin e tyre lidhur me shfrytëzimin e pyjeve në sheshe të Bulqizës. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi informoi qytetarët më 21 korrik se ka nisur strukturat e posaçme në mbrojtje të mjedisit./atsh