Në vetëm 10 muaj që nga nisja e funksionimit të platformës “shqiperiaqeduam.al”, 9.454 qytetarë janë bërë përdorues të portalit të bashkëqeverisjes, ndërsa 13,694 probleme të qytetarëve kanë marrë zgjidhje.
Kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një raporti 10 mujor lidhur me ecurinë e kësaj platforme ka ndarë shifra duke e konsideruar platformën, efikase dhe dëshmi e rrugës më të shpejtë, për të marrë zgjidhje problemet e njerëzve.
Rama u ka bërë apel qytetarëve për të mos humbur kohë por të raportojnë çdo problematikë që qytetarët kanë, pasi kjo sipas tij, është mënyra sesi njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë.
“Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam. 9.454 qytetarë pa dallim moshe, gjinie, statusi social, bindjeje e përkatësie politike, numërohen sot, 10 muaj nga ndezja e platformës, si përdorues e kontribuues të koalicionit tonë bashkëqeverisës për Shqipërinë që Duam.
Me vetëm një mesazh, në adresën “shqiperiaqeduam.al” qytetari ka në dispozicion të drejtpërdrejtë qeverinë, përmes ministrit përkatës që adreson menjëherë rrugën e trajtimit të përmbajtjes së mesazhit të qytetarit. Zgjidhja përmes kësaj platforme, në vetëm 10 muaj, e 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve konkretë të këtij vendi, është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin. Vendos qeverinë gjithnjë e menjëherë në krah të tij. Garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët”, theksoi Kryeministri.
Në statusin e tij kreu i ekzekutivit, Rama theksoi se platforma “shqiperiaqeduam.al” është rruga më e shpejtë për të zgjidhur hallet dhe problemet që has qytetari me administratën.
“Nuk ka më asnjë dyshim!
Platforma “shqiperiaqeduam.al” është rruga jonë e re, e shkurtër dhe e shpejtë, për të zgjidhur së bashku hallet e problemet tuaja me administratën. Po ashtu, “shqiperiaqeduam.al” është edhe fuqia jonë e përbashkët kundër parazitizmit e korrupsionit në zyrat e shërbimeve të shtetit për qytetarin. Mos ngurroni dhe as mos humbni kohë! Zgjidhni “shqiperiaqeduam.al” për të zgjidhur hallin a problematikën Tuaj, duke e përcjellë fjalën Tuaj drejt e në qeveri dhe kësisoj ndikoni edhe që, hap pas hapi, në çdo zyrë të shtetit tonë njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë”, -shkruan Rama.//atsh