“Arturi dhe bashkëshortja e tij kanë investuar në agroturizëm që prej vitit 2015, duke krijuar 6 mijë rrënjë bimë frutore dhe fidanë, me sipërfaqe 7 hektarë e gjysmë.
Edhe pse pa eksperiencë në këtë sektor, pasioni i madh e ka transformuar këtë zonë nga një sipërfaqe pa funksion, në një oaz turistik me emrin shpresëdhënës “PEMA E JETËS””.
Kështu shkruan ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në rrjetin social “Facebook”, duke përcjellë mesazhin se ky investim, është një histori suksesi në fushën e agroturizmit shqiptar që po lulëzon gradualisht në zona të ndryshme të vendit, inkurajuar dhe mbështetur edhe nga politikat e qeverisë.
Qeveria ka nisur këtë vit, për herë të parë zbatimin e një programi të madh kombëtar për zhvillimin e agroturizmit.
Agroturizmi shihet si mundësia që do të ndryshojë tërësisht situatën në zonat rurale, ku nuk mund të fitosh me bujqësi dhe blegtori, ndaj dhe qeveria ka hartuar një paketë shumë inkurajuese në mbështetje të investimeve në këtë fushë.
Përmes programit “100 fshatrat”, ku po bashkërendojnë punën 4 dikastere të rëndësishme (Bujqësia, Infrastruktura, Kultura dhe Turizëm-Mjedisi) synohet të hapet një faqe e re në diversifikimin e zhvillimit rural, përmes agroturizmit./atsh