Interes në rritje nga turistët e huaj dhe ata vendas për monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë.
Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike që administrohen nga D.R.K.K Vlorë, në sezonin turistik të vitit 2018 janë vizituar nga një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj.
Në raport me vitet paraardhës dhe kryesisht me vitin 2017, shihet qartë një numër më i madh vizitorësh.
Një rritje e numrit të vizitorëve është shënuar në Kalanë e Kaninës, Kalanë e Porto Palermos dhe Parkun Arkeologjik të Orikut, në të cilat është investuar për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por edhe në përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës së brendshme dhe sinjalistikës në ndihmë të vizitorëve.
Konkretisht në Kalanë e Porto Palermos numri i vizitorëve për periudhën janar-korrik 2018 është mbi 14 500 persona, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistrohen rreth 13 mijë vizitorë.
Ndërsa Parku Arkeologjik i Orikut për periudhën janar-korrik 2018 u vizitua nga rreth 1300 vizitorë krahasuar me 700 vizitorë në 2017.
Numri i vizitorëve në Kalanë e Kaninës për periudhën janar-korrik 2018 ishte mbi 17 mijë persona, një shifër ndjeshëm në rritje kjo krahasuar me rreth 500 vizitorë në 2017.
/atsh