“Ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht dhe Kosova është shtet i pavarur”.
Kështu u shpreh sot, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në përgjigje të deklaratës së drejtorit të zyrës për Kosovën në shtetin serb, Marko Gjuriç, i cili ka deklaruar se “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra”.
“Uroj që dikush t’ i thotë se Jugosllavia nuk ekziston më… Ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është arsyeja pse edhe ai është sot drejtor… Natyrisht”, shprehet Majko.
Reagimi i Gjuriç erdhi pas vizitës së djeshme në Prishtinë, të ministrit Majko, ku u konfirmua lajmi i diskutuar prej kohësh midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës, për fillimin e lëvizjes së lirë së njerëzve dhe mallrave duke filluar nga 1 janari 2019.
Majko kujton se “në takimin e parë zyrtar të dy Kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës, si afat u vendos që ky proces të fillonte në 1 janar 2018. Për arsye të mirëkuptueshme, qeveria e Kosovës kërkoi kohën e nevojshme për të marrë vendimin”.
“Dje, Kryeministri Haradinaj më kërkoi që në festimet ku ishim të ftuar bashkë me Presidentin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrat Pacolli dhe Gashi në Komunën Skënderaj, nën hijen e bustit të bacës Adem Jashari, të isha unë që do të jepja lajmin se Kosova e ka marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona”, u shpreh Majko./atsh