Loading...

Siguria ushqimore, AKU bllokon 141 kg impute bujqësore të padeklaruara

Në kuadër të forcimit të masave për sigurinë ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka në fokus të veçantë kontrollin e mjeteve të vogla si burim kryesor i futjes së pesticideve si dhe produktet ushqimore të pa kontrolluara në vend.

Trupat inspektuese të DRAKU, Korçë në bashkëpunim me doganën e Kapshticës kanë konstatuar një shtetas që kishte në automjetin e tij një sasi të konsiderueshme prej afro 141 kg impute bujqësore të padeklaruara dhe jo të lejueshme për tregtim.

Imputet bujqësore ishin të paregjistruara në listën e preparateve për mbrojtjen e bimëve, miratuar nga MBZHR si dhe në mungesë të plotë të dokumentacionit që bie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e bimëve.

Po ashtu, inspektorët e AKU-së në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë bllokuar edhe një tjetër automjet privat në të cilin u gjetën 72 kg mjaltë, produkt pa etiketë dhe asnjë dokumentacion certifikues të cilësisë dhe sigurisë, apo fiskal, shkelje të parashikuara në ligjin për ushqimin.

Konkretisht, nga kontrolli fizik i produktit, rezultoi se shtetasi grek, Argiropulos Thoma me automjetin e tij tip “BMW” tentoi të fuste në vendin tonë 72 kavanoza me mjaltë pa nr. loti, datë prodhimi dhe datë skadimi.

Menjëherë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bë bllokimi i të dy ngarkesave duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ndërsa po ndiqen procedurat doganore për kthimin në origjinë të produkteve të lart përmendura.

AKU do të intensifikojë kontrollet për të mbrojtur e garantuar sigurinë ushqimore edhe ndaj produkteve që futen kontrabandë me automjete private në sasi të dukshme për tregtim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, pasi siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com