Familjarët e Viktorjan Picakut, 24-vjeçarit shqiptar që u ekzekutua me armë mbrëmë në Bari të Italisë, dyshojnë se pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet një italian.
Ata rrëfejnë se pak ditë më parë, Viktorjani kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë, e cila po dhunohej nga një italian. Familjarët thonë se 24-vjeçari ishte gjendur aty rastësisht dhe kishte ndërhyrë për të shpëtuar të renë.
Por kjo, gjithnjë sipas familjarëve të viktimës, duket se nuk është pranuar nga italiani, i cili mbrëmjen e së mërkurës mori hak ndaj të riut, duke i marrë atij jetën.
Të afërmit e 24-vjeçarit thonë gjithashtu se kanë mësuar se një prej autorëve është vetëdorëzuar në polici, ndërsa tjetri është ende në kërkim.
Dy ishin personat që e qëlluan me dy plumba të riun me origjinë nga Mirdita. Ngjarja ndodhi në një shesh të mbushur me njerëz, përfshirë edhe fëmijë, në Corato të Barit.
24-vjeçari nga Mirdita kishte rreth një vit që kishte shkuar në Itali, në kërkim të një jete më të mirë.