Miq, familjar dhe personalitete të artit shqiptar i dhanë lamtumirën e fundit mes dhimbjesh e lotësh, tenorit të njohur Gaqo Çako.
Homazhet në nder të tenorit Çako i cili u nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurës, u zhvilluan në hollin e Muzeut Kombëtar.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në homazhet në nderim të jetës dhe veprës së tenorit dhe këngëtarit lirik të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako.
Presidenti Meta shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve, miqve dhe të afërmve të interpretuesit të përsosur të këngës lirike shqiptare dhe vendosi një kurorë me lule, duke u përulur me respekt para trupit të pajetë të tenorit Gaqo Çako.
Pas homazheve President Meta u shpreh se, “kënga, kontributi, talenti i tij dhe dashuria me të cilën ai këndoi për publikun dhe për popullin tonë janë të përjetshme dhe kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë frymëzuese për artistët më të rinj dhe njëkohësisht do të jetë gjithmonë në kujtesën e popullit dhe kombit tonë. Është një artist i përmasave të jashtëzakonshme, por njëkohësisht dhe trashëgimia që ai po lë është e jashtëzakonshme dhe jam i sigurt që kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë e gjallë, theksoi Presidenti. /atsh