Të moshuarit e institucioneve rezidenciale publike në të gjithë vendin po përfitojnë për herë të parë shërbimin e plotë okulistik dhe syze falas.
Programi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale filloi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku 50 të moshuar kryen vizitat e specializuara dhe u pajisën me syze falas, sipas nevojës.
Më pas, nisma vijoi në të gjithë institucionet rezidenciale për të moshuarit, në Kavajë, Fier, Gjirokastër, Shkodër, për t’u përmbyllur në Poliçan. 251 të moshuar që banojnë në këto institucione përfituan pa pagesë këtë shërbim kaq të nevojshëm për moshën e tretë.
Ministria e Shëndetësisë ka sjellë në vëmendje historinë e trishtë të braktisjes së çiftit të të moshuarve nga Korça, të cilët jo vetëm që u strehuan në kohë rekord por edhe përfituan nga përkujdesja dhe programi për vizita dhe syze falas.
“Me shëndet syzet e reja nënë Lume dhe gjysh Fadili. Ju kujtohet historia e trishtë e braktisjes së çiftit të të moshuarve nga Korça? Jo vetëm u strehuan në kohë rekord nga MShMS dhe Shërbimi Social por përkujdesja e stafit tonë në qendrën polivalente Poliçan është maksimale”, deklaron ministrja Manastirliu. /atsh