Loading...

Emerging-Europe: Shqipëria ndalon me ligj përdorimin e qeseve plastike

“Shqipëria ka marrë masa për të reduktuar mbeturinat plastike dhe ndotjen duke vendosur me ligj një kufizim në  importimin, prodhimin, përdorimin dhe shitjen e qeseve plastike të lehta”, shkruan Emerging-Europe.
Zëvendësministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi tha se qeset e lehta plastike nuk janë të riciklueshme. “Ata duhet të kenë një trashësi minimale prej 35 mikronësh në mënyrë që të jenë të ripërdorshme dhe të kenë vlerë riciklimi”, tha ajo.
Vendimi ka për qëllim inkurajimin e prodhimit të qeseve të biodegradueshme me shumë qëllime që mund të shpërbëhen në 36 muaj. Prodhuesit dhe importuesit që nuk zbatojnë ligjin në Shqipëri do të gjobiten 100,000-150,000 lekë (700-1186 euro).
Në maj, Komisioni Europian propozoi rregulla për BE-në të cilat targetojnë  10 produkte plastike me përdorim të vetëm që ndodhen më shpesh në plazhet dhe detet e Europës. Propozimi përfshin ndalimin e përdorimit të plastikës në produkte të caktuara: “Nëse alternativat janë në dispozicion dhe me çmime të përballueshme, produktet plastike me përdorim të vetëm do të dalin nga tregu. Kufizimi shtrihet deri tek pastruesit plastikë me pambuk për veshët, kompletet e ngrënies, pjata, pipat,  përzierësit e pijeve dhe shkopinj për balona të cilat do të prodhohen nga materiale më të qëndrueshme në vend. Ambalazhuesit e pijeve  me përdorim të vetëm do të lejohen në treg vetëm nëse kapakët dhe mbyllësit e tyre janë të puthitura. “
 
BE ka miratuar tashmë një Direktivë për qeset plastike, e cila kërkon nga shtetet anëtare të vendosin një pagesë për qeset plastike deri në fund të vitit 2018 ose të marrin masa të tjera për të siguruar një reduktim të konsumit në 90 qese në vit për person deri në fund të vitit 2019 dhe në 40 qese deri në vitin 2025.
 
Në të gjithë Europën në zhvillim, situata nuk paraqitet e njëjtë. Bullgaria ishte një nga shtetet e para anëtare të BE-së që vendosi kufizime në përdorimin e qeseve plastike, kur në vitin 2011, një pagesë prej 15 stotinki (8 euro cent) u vendos për më të hollat e qeseve plastike të cilat janë deri në 15 mikronë trashësi.
Maqedonia ndaloi me ligj përdorimin e qeseve të lehta plastike në dyqanet me pakicë dhe në mjedise të tjera biznesi në janar 2009, ndërsa vendet anëtare të BE-së si Sllovenia dhe Kroacia pritet të bëjnë të detyrueshme pagesat për qese plastike të lehta më 1 janar të vitit të ardhshëm. 
Një konsumator i zakonshëm në Serbi përdor rreth 300 qese plastike në  vit – pothuajse një në ditë. Ky vend ende nuk ka ndaluar me ligj ose ka vendosur pagesa të detyrueshme. Megjithatë, qeveria serbe ka njoftuar përpjekjet për të ulur përdorimin e qeseve plastike dhe tashmë po subvencionon prodhimin e qeseve plastike të biodegradueshme. /atsh
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com