Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko konfirmoi të mërkurën se, “ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë, dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë”.
“Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike”, tha Guvernatori.
Sipas tij, në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues.
“Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë”, theksoi Sejko. /atsh