Ndryshojnë disa nga kriteret për emërimin e shefave të shërbimit në Qendrat Spitalore Universitare.
Për t’u bërë shef shërbimi mjafton edhe kryerja e një doktorature në vend. Në listën e vendeve ku njihet grada, përpos universiteteve të njohura të BE-së, Kanadasë, Turqisë, Australisë dhe Japonisë është shtuar edhe Shqipëria. “Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë”.
Po ashtu, në rast se kandidati nuk ka përvojën e duhur akademike si pedagog me kohë të plotë, mund të bëhet shef shërbimi edhe në rast se ka punuar me kohë të pjesshme. Por ndryshimi i ri kërkon tetë vite punë rresht pa ndërprerje, ndryshe nga më parë ku mjaftonin gjithsej po kaq vite punë si pedagog i jashtëm. Për të vlerësuar kandidatët në garë për të drejtuar një shërbim të caktuar, do të hartohet një udhëzim i përbashkët midis dy ministrive: ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë, duke shfuqizuar përcaktimet dhe kriteret e përcaktuara nga VKM-ja e mëparshme.
Një tjetër ndryshim është kontrata e personit që bëhet shef i një pavijoni. Ajo nuk do të jetë më vetëm midis tij dhe strukturës drejtuese, por trepalëshe, duke futur në këtë mes edhe drejtuesin e universitetit.
Ligji i ri i arsimit të lartë i trajton strukturat shëndetësore universitare si pjesë e institucioneve të arsimit të lartë, për vetë faktin se përpos trajtimit mjekësor, ato shërbejnë edhe si qendra mësimore e kërkimore shkencore. Kështu, edhe shefat e shërbimeve duhen medoemos të kenë qenë pjesë e sistemit akademik për një periudhë të konsiderueshme kohe, ashtu siç nevojitet përvoja klinike për jo më pak se një dekadë në një specialitet të caktuar. Ndryshimet u përcaktuan me vendimin e Këshillit të Ministrave. /atsh