Veliaj theksoi se është momenti që të lihen pas debatet dhe fokusi të vendoset për të çuar përpara vendin.
“Pyetja është sot, jemi ne akoma personazhe të Konicës dhe Eqerem bej Vlorës apo raca jonë evolon në 100 vjet? Po sot, me kë po zihemi sot, me kë po hamë inat sot, me kë kemi konflikt sot? Pse po rrisim ne një brez me helm, me toksina, shaj këtë, shaj atë, duke harruar që mbi të gjitha jemi shqiptarë, kemi një vend. Kjo është diferenca. Ndaj edhe besoj që në këtë mision për ta çuar përpara vendin tonë, ne pamë në Tiranë në këto tre vite me dashuri janë bërë punë që nuk i imagjinonim dot kurrë. Ne shqiptarët jemi po të njëjtët që zihemi 10 vjet për një shesh dhe jemi po të njëjtët që e bëmë për 10 muaj kur vendosim të punojmë. Ne jemi po të njëjtët që mund të bëjmë debate e lagu, s’e lagu, ama kur e ndajmë mendjen të punojmë, ne mund të bëjmë mrekulli. Ndaj edhe unë besoj shumë që këtë frymë dhe këtë definicion të ri, të çfarë domethënë me qenë shqiptar në vitin 2018 të kemi mundësi ta përkthejmë”, – deklaroi Veliaj.
Teksa renditi disa nga investimet e bashkisë së Tiranës si rehabilitimi dhe ndërtimi i shkollave, krijimi i shkollave komunitare etj., Veliaj prezantoi edhe nismën më të re, atë të transformimit të Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi me fokus teknologjinë.
“Një nga gjërat që do të bëjmë dhe nuk e di nëse një nga kolegët e bashkisë do të ketë kohë që ta shpjegojë më vonë në një nga workshop-et, është transformimi i Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi. Në thelb Piramida do të jetë një pallat i madh pionierësh, por për këto gjuhë të reja që shqiptaria duhet t’i mësojë sot, inteligjenca artificiale, robotika, informatika, kodimi, design, animacioni. Gjuhë që sot fëmijët e botës po i mësojnë njëkohësisht me gjuhën e nënës. Unë besoj se nëse ne i targetojmë këto hendeqe si kulturore, po si edhe të aftësimit, ne mund të bëjmë realisht mrekulli si në Shqipëri dhe në Kosovë”, – tha Veliaj. /atsh