Çështjet e mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë janë drejt zgjidhjes.
Kryeministri Edi Rama, gjatë intervistës së tij në emisionin “Përballë”, theksoi se mes palëve po punohet për gjetjen e një marrëveshjeje e cila do të jetë solide.
Kreu i qeverisë shprehu keqardhjen e tij për sulmet që po i bëhen kësaj marrëveshje nga opozita.
“Ne jemi shumë afër. Por ne nuk jemi ngutur dhe po punojmë për një marrëveshje shumë solide. Më vjen keq që marrëveshja është sulmuar egërsisht, pa asnjë bazë dhe thjesht dhe vetëm për t’i fryrë zjarreve të dëshpërimit të opozitës që thashë: nuk ka strategji, nuk ka lidership, nuk ka ide dhe pastaj kapen pas çdo gjëje që do të dalë. Del deti, hidhet në det; del Teatri, hipën në skenë; del diçka tjetër, improvizon diçka tjetër. Marrëveshja do të jetë shumë solide”, – theksoi Kryeministri. /atsh