Qeveria miratoi sot Strategjinë Kombëtare të Energjisë për periudhën 2018-2030. Një udhërrëfyes ky, i cili vendos piketat kryesore për modelet e zhvillimit të një prej promotorëve kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018-2030 rishikohet çdo 3 (tre) vjet.
Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të hartojë planin e veprimit të strategjisë, pjesa II dhe brenda muajit dhjetor 2018, ta paraqesë për miratim.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Agjencia për Eficiencën e Energjisë, Fondi për Eficiencën e Energjisë, Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, ndërmarrja publike në aktivitetet e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror “ALBGAZ”, ndërmarrja publike në aktivitetet e eksplorimit dhe prodhimit të naftës bruto “Albpetrol”, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Agjencia për Trajtimin e Koncesioneve, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /atsh